Në Shqipëri po debatohet gjerësisht këto ditë mbi krizën energjetike të paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama. Ekspertë të sektorit energjetik thonë se rritja e çmimit të gazit në tregjet ndërkombëtare, i nevojshëm për prodhimin e energjisë, prek edhe tregun shqiptar. Për të zbutur efektet e krizës, ata sugjerojnë uljen e importit dhe rritjen e prodhimit vendas, përmes hidrocentraleve. Ky prodhim aktualisht mbulon mbi 70% të nevojave të konsumit. Studiues të sektorit energjetik, nënvizojnë se ka mjaft rëndësi në këtë proces dhe një menaxhim më i mirë i sektorit energjetik.
Kriza energjetike e paralajmëruar nga Kryeministri Edi Rama, si pasojë e rritjes së çmimit të gazit në tregun ndërkombëtar, ka nxitur një valë të gjerë debati në qarqet e ekspertëve të fushës dhe ato politike. Në Shqipëri 70-75 të nevojave për energji elektrike prodhohen në vend nga burime hidrike, dhe 25-30% importohen, nga tregjet rajonale dhe europiane.
Korporata elektroenergjitike shqiptare i tha Zërit të Amerikës se rezervat energjetike të kaskadës në Hidrocentralin më të madh të vendit, në atë të Fierzës, janë ruajtur. Ato janë sa mesatarja shumëvjeçare për këtë periudhë të vitit dhe se nuk rrezikohen nga prurjet e ulëta, sipas KESH, që janë 60% më pak se mesatarja shumëvjeçare. Bazuar në të dhënat e kësaj korporate, niveli i hidrocentralit të Fierzës është 270.43 metra mbi nivelin e detit nga 296 që është maksimalja, ai i Komanit 170.50 metra nga 176, dhe i Vaut të Dejës 73.30 nga 76 metra, të cilat konsiderohen nga ekspertët kuota normale për sezonin.
Por vëmendja sot qëndron tek importi i energjisë elektrike me çmim disa herë më të lartë, se mesatarja e çmimeve gjatë viteve të fundit. Ekspertët argumentojnë se në tregjet ndërkombëtare, çmimet e energjisë janë rritur si pasojë e rritjes së çmimit të gazit, që përdoret për prodhimin e saj.
Ata thonë se këto tendenca ishin shfaqur para fillimit të Pandemisë së Covid 19.
“Për të qenë realist, në këtë periudhë të vitit ne kemi qenë gjithnjë importues të energjisë elektrike. Dallimi këtë vit nuk është se kishte thatësirë. Vërtet erdhi pak më e fortë se vitet e tjera, por e vërteta është se tregu i jashtëm ka pësuar një ç’balancim të tillë saqë jo vetëm burimet janë vështirë për t’u gjetur, por dhe aty ku gjendet çmimi i energjisë është i lartë. Marr si shembull gazin në tërësi. Ka një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës në treg. Kina po e dyfishon kërkesën. Kina është një konsumator shumë i madh. Edhe India ka kërkesë shumë të lartë. Brenda Europës të gjitha vendet po zëvendësojnë lëndët energjetike ma bazë karbonin, fosilet. Gjithashtu po zëvendësojnë centralet bërthamore dhe po kalojnë në termocentrale me gaz. Janë politikat ambientale, janë protokollet e Kiotos, e kështu me radhë që e diktojnë këtë. BE ka vendosur afate në këtë proces, 2022 dhe 2035. Të gjitha vendet do të reduktojnë CO2, karbonin. Pra është rritur kërkesa për energji tjetër, konkretisht për gazin”- i tha Zërit të Amerikës Pajtim Bello, ekspert në fushën e energjisë.
Gjergj Bojaxhi, ish drejtues në sektorin energjetik, thotë se importi i energjisë me çmim më të lartë lidhet, jo vetëm me rritjen e çmimit të gazit në rajon dhe Europë, por dhe me mangësitë në marrjen e masave nga strukturat shtetërore në vend, për menaxhimin e krizave të tilla.
“Sistemi ynë energjetik është i lidhur me atë ballkanik dhe europian. Të thuash që nuk prekemi nga kriza nuk është e saktë. Por përderisa kjo krizë energjetike për momentin është e përkohshme, mund të jetë dhe vetëm disa muaj, atëherë ka hapësirë për ta mbajtur atë nën kontroll, duke përmirësuar menaxhimin e sektorit energjetik, duke ulur humbjet të cilat janë 22.22%. Humbjet që i njihen nga ERE, OSHE-së janë vetëm 16.5%. Vetëm nëse marrim këtë diferencë mes humbjeve faktike të OSHE-së, që vjen si shkak i keqmenaxhimit të tyre, dhe humbjeve që njihen nga ERE, ky 6.5% i humbjeve nëse konvertohet në vlerë me çmimet e bursës, që duhet të importohet kjo sasi për kompensim, vetëm për këtë vit deri në fund të tij do shkonte afërsisht 80 milion euro. Kështu që, ja ku i kemi fondet nëse bëjmë një mirëmenaxhim të kompanisë për të amortizuar rritjet e çmimit të tregut, të cilat nuk janë 100% e konsumit në vend. Janë maksimumi vetëm 30% i tij” – u shpreh për Zërin e Amerikës Gjergj Bojaxhi, ish-drejtor i KESH.
Në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit, janë privatizuar 4 hidrocentrale, ai i Shkopetit i Ulzës dhe Bistrica 1 e 2, si dhe janë ndërtuar përmes kontratave koncesionare nga investitorët vendas dhe të huaj mbi 200 hidrocentrale të vegjël, të cilat prodhojnë rreth 25% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë elektrike në vend. Prej tyre, një numër jo i konsiderueshëm kanë fuqi të madhe prodhimi.
Zv. President i Konfindustria Albania, (shoqata e industrialistëve italianë në Shqipëri) Giordano Gorini, një prej investitorëve në hidrocentrale të vegjël, thotë se, kërkesat e vazhdueshme të prodhuesve të energjisë së rinovueshme, drejtuar qeverisë, për hartimin e politikave afatgjata në sektorin e energjisë, nuk janë marrë në konsideratë.
“Shqipëria është një vend që energjinë e prodhon nga burime 100% të rinovueshme, siç janë hidrocentralet. Por politika e qeverisë shqiptare, këto vite ka qenë një politikë veçanërisht komerciale. Ta shpjegoj më mirë: qeveria ka kërkuar që të blejë diferencën e energjisë që konsumohet në vend, nga energjia që prodhohet. Deri tani kjo politikë ka pasur avantazhe sepse i ka lejuar OSHE-së të blejë energjinë me një çmim më të ulët nga ai që shisnin energjinë. Por tani që çmimi i importit është rritur shumë, kuptohet që kjo politikë komerciale e emergjencës, është afatshkurtër. Kjo është arsyeja e krizës. Shqipëria ka një potencial hidro-elektrik dhe mund ta shtojë kapacitetin e prodhimit të brendshëm me 33%. Me këtë shtesë të prodhimit të hidrocentraleve, do të mund të plotësonte kërkesat e brendshme për energji. Prej 5-6 vitesh Shoqata e Prodhuesve të Energjisë së rinovueshme ka kërkuar nga qeveria një tryezë teknike së bashku me sipërmarrësit të cilët duhet të investojnë shuma të mëdha, sepse sektori hidro -elektrik kërkon investime me kapitale të fuqishme. Efektet e krizës nuk evitohen sot dhe nesër. Ajo që ne i sugjerojmë me forcë, qeverisë shqiptare është një tryezë negociatash mes sipërmarrësve për të përballuar së bashku këtë krizë” – tha për Zërin e Amerikës, Giordano Gorini, Zv. President për çështje të energjisë, Konfindustria Albania, shoqatë e industrialistëve italianë në Shqipëri.
Eksperti i sektorit të energjisë Pajtim Bello, thotë se Shqipëria nuk ka siguri energjetike.
“Siguria energjetike është si siguri kombëtare. Por nëse një qeveri nuk e ka në koncept këtë, mos prit të marrë masa të tjera, kur ajo merr nga thesi i sigurisë dhe nxjerr jashtë, siç ndodhi me dy hidrocentrale në lumin Mat, dhe dy hidrocentrale në Bistricë, që ishin perla të sistemit energjetik, ndër të parat që janë ndërtuar në Shqipëri. Kaskada e Drinit duhet të mbetet publike. Edhe ajo që do investohet dhe ajo që është, sepse do të rrisë sigurinë. Duke parë që jemi vend i varfër duhet të ketë mbrojtje sociale për popullatën, të mendosh që çmimet e energjisë dhe mund të rriten. Në vend që të marrësh masa sociale e kompenson me këtë prodhim publik”– tha Pajtim Bello, ekspert për çështje të energjisë.
Mjaft ekspertë mendojnë se nuk ka vend për të rritur çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët shqiptarë, nëse çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtar do të jenë të larta për një periudhë kalimtare duke marrë në konsideratë, sipas tyre se ka mjaft hapësira për të përmirësuar dhe menaxhimin e këtij sektori./VOA