Tre persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës gjatë një aksioni anti-drogë të koduar “Aroma” nga forcat e Komisariatit Nr.6 në kryeqytet.
Uniformat blu zbuluan një shtëpi bari, brenda së cilës ishin kultivuar bimë narkotike. Të arrestuarit janë A.A. 28 vjeç, Xh.I. 54 vjeçe dhe H.T. 50 vjeç.
28-vjeçari dhe 54-vjeçarja, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e një banese, me aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndëve narkotike, të cilën e paketonin dhe e bënin gati për shpërndarje me doza për përdorues të ndryshëm.
Ndërsa 50-vjeçari H.T. kishte detyrë të ruante ambientin e jashtëm të banesës dhe të raportonte dy të arrestuarit e tjerë në rast se shikonte lëvizje të dyshimta.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan 27 kg kanabis, një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, aparatura që shërbejnë për tharjen dhe prodhimin e lëndës narkotike, doza me lëndë të dyshuar kokainë, një peshore elektronike dhe një automjet.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
/a.r