Jurgen Hasani është dënuar më 2 vjet burg nga Gjykata e Tiranës pasi tentoi të përdhunojë një studente të fakultetit Ekonomik, të cilën sapo e kishte shoqëruar drejt banesës i dashuri i saj. Ngjarja ka ndodhur pas mesnate më 27 qershor të këtij viti. G.T, studente në vitin e tretë, ka qenë me të dashurin e në një lokal pranë Liceut Artistik. Rreth orës 02:00, i dashuri e ka shoqëruar deri tek Ambasada Amerikane, por në momentin kur është nisur në drejtim të banesës së saj mbi Qytetin Studenti, ka ndjerë se dikush e ndiqte.
Jurgen Hasani ka tentuar ta përdhunojë studenten por fillimisht i ka thënë se “nuk kishte nevojë për prezantim, pasi ai kishte ardhur për qejf”. Studentja është larguar me shpejtësi, por agresori e ka ndjekur deri në ashensorin e banesës.
Studentja ka mundur të largohej sërish ndërsa Hasani e ngacmonte seksualisht, derisa e reja ka kërkuar ndihmën e punonjësve të policisë të cilët ndodheshin përballë Fakultetit Filologjik.
Pas arrestimit Jurgen Hasani ka deklaruar se ka qenë i dehur, ndaj kishte kryer këto veprime ndaj studentes./Shqiptarja