Përplasja mediatike mes ish-kreut të PD-së për qarkun Shkodër, Romeo Gurakuqi dhe ish-presidentit Bujar Nishani tashmë është zyrtarizuar në Gjykatën e Tiranës. Ka nisur procesi gjyqësor, pas padisë së bërë nga historiani e pedagogu i njohur, ndërkohë që ka edhe një proces tjetër si pasojë e padisë së Nishanit, duke çuar kështu numrin e dy proceseve gjyqësore për një çështje.
Gjithçka filloi vitin e shkuar, kur Nishani ishte pjesëtar i ekipit të caktuar nga Basha për të përzgjedhur kandidatët për deputetë, ku edhe pse kishte kërkesa të shumta nga baza, Romeo Gurakuqi nuk u përzgjodh.
Kreu politik i qarkut të Shkodrës kritikoi ashpër ish-presidentin në media, i cili u kundërpërgjigj akoma më ashpër kur tentoi të baltosë imazhin e deputetit të PD-së, duke përdorur të pavërteta, numra kartelash e ngjarjesh që nuk kishin fare lidhje me Gurakuqin.
Më pas Nishani deklaroi se nuk kishte gjë personale me deputetin e PD-së, por kishte folur “në përgjithësi”.
Por deputeti i PD-së, mori menjëherë shkresën nga Autoriteti i Dosjeve, që e nxirrte të pastër dhe e paditi në gjyq ish-presidentin, i cili në atë kohë përveç si anëtar i grupit të përzgjedhjes së kandidatëve, ishte edhe kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së.
Pasi u padit zyrtarisht, Nishani kreu një kundërpadi ndaj historianit, padi që si bazë të saj ka deklaratën e Nishanit që ai nuk ka pasur asgjë me Gurakuqin, ndaj nuk ka përse paditet.
Kjo metodë është e njohur në procedurat e padisë së politikanëve, që përbën një manovër për të mbyllur çështjen nga pala tjetër, duke e shantazhuar me proces paralel.
Seanca e parë e zhvilluar është shtyrë, pasi Nishani nuk është paraqitur në gjykatë.
Gurakuqi, kërkoi përjashtimin e gjyqtarit të caktuar për procesin Llazër Sallaku, por kjo kërkesë nuk është pranuar./ TemA
/b.h