Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, ka deklaruar nga Korça se PD do të bëjë gjithçka për të qenë në krah të qytetarëve, të cilët po vuajnë pasojat e krizës së thellë ekonomike dhe rritjes së çmimeve.
Në një deklaratë për mediat, Salianji nuk i ka shpëtuar edhe kërkesës për një koment edhe lidhur me përplasjen e tij me kolegun, Edmond Spaho. Në fjalën e tij, Salianji u shpreh se në zonat që ka mbuluar ka pasur rezultat historik, e më pas ka shtuar se qytetarët nuk kanë interes për marrëdhëniet individuale.
“Gjithçka që ka të bëjë me çdo interes apo me çdo marrëdhënie individuale nuk është në interesin e publikut. Ata që nuk kanë para për të përballuar jetesën nuk kanë interes.
Unë kam përgjegjësinë edhe më të lartë për të qenë të bashkuar për të mundur qeverinë. Kam përgjegjësi se rezultatit të mirë që kam marrë në zonat që mbuloja. Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me diskutimet i bëjnë mirë dhe bëhet atraktive,”-tha Salianji në fjalën e tij.