Një ngjarje sa e rëndë dhe e mistershme ka ndodhur në Serbi ku një familje prej tre anëtarësh është gjendur e vrarë dhe e djegur dy ditë më parë.
Sipas mediave serbe, vrasja e familjes Đokiç ishte e përgatitur mirë dhe e planifikuar, pasi ajo u krye në 70 minuta dhe ndoshta janë disa persona morën pjesë në krim, ku të paktën njëri prej të cilëve i njihte ata.
Goran Dokic 57-vjeç, gruaja e tij Gordana 56 vjeç dhe vajza Lidija 25 vjeç u panë për herë të fundit në fshatin Žitkovac, komuna e Aleksinac, ku po ktheheshin me makinën e tyre, Volkswagen Passat nga një darkë familjare. Ngjarja rrethohet nga misteri që në fillim, kur më 26 Shtator, nëna, babai dhe vajza u zhdukën në mënyrë të mistershme ku njëkohësisht u fikën të tre telefonat.
Lajmi mori vëmendje të madhe mediatike në Serbi ku vetë ministri i brendshëm, Aleksandër Vulin u shpreh se forcat policore janë në gatishmëri dhe dispozicion për të ndihmuar në gjetjen e tyre. Por gati një javë pas zhdukjes së tyre, pranë një rruge të vjetër u gjet makina e tyre e djegur por asnjë gjurmë e familjes Dokiç.
Ndërkohë vetëm pak orë pas gjetjes së makinës forcat policore kanë mundur të gjejnë dhe trupat e pajetë të tre pjesëtarëve të familjes Dokic. Nga informacionet paraprake dyshohet se të tre familjarët janë vrarë dhe më pas janë djegur në tentativë për të humbur gjurmët. Raportimi fillestar i policisë informoi se 2 trupa ishin djegur pothuajse plotësisht ndërsa të tretit i ishte djegur vetëm fytyra.
Autoritetet serbe po vijojnë hetimet në vrasjen më makabre të ndodhur vitet e fundit në vend, ata gjithashtu janë në pritje të autopsisë për të përcaktuar shkakun e vrasjes, pasi duke qenë se trupat ishin djegur nuk mund të identifikohej motivi i vrasjes./m.j