Duke filluar nga dita e sotme, do të nisë zbatimi i pikës dy në marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë të arritur pas reciprocitetit për targat. Sipas kësaj marrëveshje, do të fillojë zbarimi i përkohshëm i sistemit të afishave me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
Pika e tretë parashikon që më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të BE-së, Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për këtë situatë.
Kujtojmë se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjakë, të cilat lidhin Kosovën me Serbinë, që nga e shtuna janë liruar, pas largimit të barrikadave të vendosura nga serbët dhe largimit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
Këto dy pika kufitare ishin bllokuar me kamionë me zhavorr nga serbët lokalë, në shenjë proteste për reciprocitetin për targat e Serbisë të vendosur nga Qeveria e Kosovës më 20 shtator 2021.
Pas më shumë se 13 ditë bllokade këto dy pika kufitare u liruan, pas marrëveshjes së arritur në Bruksel në mes palës kosovare dhe asaj serbe.
g.kosovari