Tashmë asnjë anije që lundron pranë detërave shqiptarë nuk do të mund të derdhë në det mbetjet e krijuara, kjo pasi qeveria ka vendosur për të ndaluar këtë aktivitet, fill pas ngjarjeve të muajit nëntor, ku në bregdetin e durrësit u konstatua një sasi e madhe hidrokarburesh.
Përmes një VKM-je qeveria ka miratuar krijimin e një qendrave të grumbullimit për të gjitha mbetjet që lëshohen nga anijet e ndryshme që lundrojnë nëpër portet e detin shqiptar.
Anijet do duhet t’i shkarkojnë mbetjet apo tepricat e tyre tek operatorët e liçensuar për trajtimin dhe grumbullimin e këtyre lloj mbetjeve. Gjithashtu anijet do duhet të pajise edhe me një çertifikatë të dorëzimit të mbetjeve.
Në vendim përfshihen të gjitha mjetet lundruese, duke nisur nga peshkarexhat, anijet transportuese e deri tek ato anije që lundrojnë për qëllime argëtimi apo qëllime sportive.
Në vendim përfshihen jo vetëm anije shqiptare por edhe ato të huaja.
Vendimi sqaron se në mbetjet që nuk duhet të shkarkohen në det janë: Tepricat nga ngarkesat detare, përfshirë mbetjet e çdo lloji të ngarkesës në bord, nga mbajtëset e ngarkesave ose çisternat, të cilat teprojnë pas përfundimit të procedurave të shkarkimit dhe pastrimit.
Në nëtor të këtij viti, dy anije të huaja kishin shkarkuar në det një sasi të madhe hidrokarburesh, të cilat përfunduan në bregdetin e plazhit të durrësit, duke shkaktuar kështu një dëm të madh mjedisor.
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KËRKESAVE PËR PARANDALIMIN E SHKARKIMIT TË MBETJEVE, TË KRIJUARA NGA ANIJET DHE TEPRICAT NGA NGARKESAT, NË DET
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 40, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin, vendosjen dhe miratimin e kërkesave për parandalimin e shkarkimit të mbetjeve, të krijuara nga anijet dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, në det, me synim mbrojtjen e mjedisit detar nga anijet, gjatë përdorimit të porteve të Republikës së Shqipërisë.
2. Rregullat e përcaktuara në këtë vendim do të zbatohen për:
a) të gjitha anijet, përfshirë mjetet e peshkimit dhe mjetet lundruese për argëtim, pavarësisht nga flamuri, shenja e thirrjes apo veprimtaria e tyre brenda një porti shqiptar;
b) të gjitha portet e Shqipërisë që ankorohen nga anijet e përcaktuara në shkronjën “a”, më sipër.
3. Drejtoria e Përgjithshme Detare siguron që anijet e përfshira në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, të dorëzojnë mbetjet e krijuara nga anijet dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, në mënyrë të vazhdueshme, tek operatoret e licencuar për grumbullimin dhe trajtimin e tyre, referuar legjislacionit në fuqi.
4. Përkufizimet e nenit 3, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, të ligjit nr.9130, datë 8.9.2003, “Për autoritetin portual”, ligjit nr.10109, datë 2.4.2009, “Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë”, dhe ligjit nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë vendim, ndërsa termat e mëposhtëm nënkuptojnë:
a) “Certifikata e dorëzimit të mbetjeve”, formulari (që jepet në aneksin IV, të këtij vendimi) i plotësuar, që vërteton se anija ia ka dorëzuar mbetjet operatorit të instalimeve marrëse, sipas procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
b) “Marpol 73/78”, Konventa Ndërkombëtare për parandalimin e ndotjes nga anijet, 1973, të ndryshuar nga Protokolli i 1978 në lidhje me të, i miratuar me ligjin nr.9594, datë 27.7.2006, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare Detare për Parandalimin e Ndotjeve nga anijet, 1973, të ndryshuar me Protokollin e vitit 1973”.
c) “Mjet lundrues për argëtim”, mjet lundrues i çdo lloji, pavarësisht mënyrës së forcës shtytëse, që përdoret për qëllime sportive ose jo.
ç) “(Mjet) Anije peshkimi”, çdo anije e pajisur me mjete përkatëse ose që përdoret për kapjen e gjallesave ujore.
d) “IMO”, Organizata Ndërkombëtare Detare.
dh) “Operator”, në kuptim të këtij vendimi, çdo person fizik ose juridik, mbajtës i lejeve dhe licencave, referuar legjislacionit në fuqi, për ushtrimin e veprimtarisë së tërheqjes së mbetjeve në portet dhe radat e tyre.
e) “Tepricat nga ngarkesat”, tepricat nga ngarkesat detare, përfshirë mbetjet e çdo lloji të ngarkesës në bord, nga mbajtëset e ngarkesave ose çisternat, të cilat teprojnë pas përfundimit të procedurave të shkarkimit dhe pastrimit.
ë) “Tarifë ekologjike e mbetjeve”, pagesa e detyrueshme që kryen çdo anije dhe mjet lundrues që prek portet e hapura dhe radat e tyre, për mbulimin e kostove të instalimeve marrëse portuale për mbetjet e krijuara nga anijet, përfshirë trajtimin dhe asgjësimin e tyre nga operatorët e licencuar, të kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, që ofrojnë shërbimin e tërheqjes së mbetjeve, referuar aneksit VI, bashkëngjitur.
5. Drejtoria e Përgjithshme Detare sigurohet që kapacitetet e instalimeve marrëse portuale, të instaluara nga operatorët e licencuar, të jenë të mjaftueshme dhe të plotësojnë nevojat e anijeve, pa i shkaktuar atyre vonesa të pajustifikuara. Për këtë gjë, kapiteneritë e porteve ngarkohen për verifikimin e kapaciteteve të instalimeve portuale marrëse dhe, në rastet e verifikimit të mosefikasitetit të tyre, detyrohen të njoftojnë Drejtorinë e Përgjithshme Detare për marrjen e masave.
6. Drejtoria e Përgjithshme Detare ngarkohet për transportin, në përputhje me kërkesat e IMO-s, duke përcaktuar, me urdhër, procedurat e raportimit në Kapitenerinë e Portit, në rastet kur pretendohet për efikasitet të pamjaftueshëm të instalimeve marrëse portuale.
7. Operatoret e licencuar, të kontraktuar nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, duhet të zotërojnë kapacitetet e nevojshme për të tërhequr sasinë dhe llojet e mbetjeve, të krijuara nga anijet që përdorin atë port normalisht, dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, duke marrë parasysh nevojat funksionale të përdoruesve të portit, madhësinë dhe pozicionin gjeografik të portit, llojin e anijeve që japin shenjën e thirrjes në atë port, si dhe të garantojnë trajtimin e këtyre mbetjeve në impiantet e tyre, të certifikuar dhe licencuar sipas legjislacionit mjedisor në fuqi dhe standardeve e normave të lejuara evropiane.
8. Drejtoria e Përgjithshme Detare, në konsultim me palët e interesuara, veçanërisht me përdoruesit e porteve, harton dhe zbaton, për çdo port, një plan të përshtatshëm për marrjen dhe trajtimin e mbetjeve, duke kontraktuar operatorë të licencuar, që plotësojnë standardet, referuar kërkesave të pikave 5 deri 24, të këtij vendimi. Kërkesat specifike për hartimin e këtyre planeve përcaktohen në aneksin I, bashkëlidhur këtij vendimi.
9. Plani, referuar në pikën 8, më sipër, hartohet në nivel rajonal ose kombëtar, me përfshirjen e çdo porti, duke siguruar që nevojat për instalimet marrëse dhe disponibiliteti i tyre të specifikohen individualisht, për çdo port, dhe miratohet me urdhër të ministrit përgjegjës për transportin.
10. Ministria përgjegjëse për transportin vlerëson dhe monitoron më tej zbatimin e planit, referuar në pikat 8 e 9. Plani rishikohet dhe miratohet, të paktën, çdo tre vjet si dhe pas ndryshimeve të rëndësishme në funksionimin e portit, apo në rastet kur operatorët e licencuar prezantojnë një projekt të ri, sipas standerdeve më të fundit të teknologjisë, i cili garanton menaxhimin më të mirë të mundshëm të mbetjeve portuale të anijeve dhe mjeteve lundruese.
11. Kapiteni i anijes, që detyrohet të ankorohet në një port në Shqipëri, duhet të plotësojë, me anë të vetdeklarimit, me vërtetësi dhe saktësi, formularin e paraqitur në aneksin II, dhe t’ia njoftojë Kapitenerisë së Portit, nëpërmjet agjencive detare,:
a) të paktën 24 orë para mbërritjes, në qoftë se porti i thirrjes është i njohur;
b) sapo të njihet porti i thirrjes, në qoftë se informacioni i kërkuar sigurohet në më pak se 24 orë përpara mbërritjes;
c) pak kohë pas largimit nga porti i mëparshëm, në qoftë se kohëzgjatja e udhëtimit është më pak se 24 orë.
12. Kapiteneria e Portit i dërgon një kopje të njoftimit, të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi, Autoritetit Portual dhe operatorit të instalimeve marrëse portuale. Operatori është i detyruar të mbajë një regjistër për njoftimet dhe certifikatat e dorëzimit të mbetjeve dhe t’ia përcjellë ato, çdo muaj, Drejtorisë së Përgjithshme Detare.
13. Kapiteni i anijes ruan kopje të informacionit, të përcaktuar në pikën 11, të këtij vendimi, për një periudhë dyvjeçare, në bordin e anijes, dhe, me kërkesën e tyre, ua vë në dispozicion Drejtorisë së Përgjithshme Detare ose organeve të tjera, të caktuara për këtë qëllim nga ministria përgjegjëse për transportin dhe ministria përgjegjëse për mjedisin.
14. Kapiteni i anijes që ankorohet në një port shqiptar, përpara largimit nga porti, i dorëzon të gjitha mbetjet e krijuara nga anija, sipas aneksit IV, të këtij vendimi.
15. Anija nuk është e detyruar të dorëzojë çdo ditë mbetjet e krijuara, por mund të vazhdojë për në portin tjetër të thirrjes pa i dorëzuar ato, në qoftë se, sipas informacionit të dhënë, në përputhje me aneksin II, ka kapacitet magazinimi të mjaftueshëm për të gjitha mbetjet e krijuara dhe ato të mundshme të krijohen gjatë udhëtimit të planifikuar të anijes deri në portin e dorëzimit.
16. Drejtoria e Përgjithshme Detare, kur ka arsye të mjaftueshme për të besuar se porti i planifikuar për dorëzimin e mbetjeve nuk disponon instalimet e duhura ose në qoftë se ky port është i panjohur dhe, si pasojë, ka rrezik që mbetjet të shkarkohen në det, merr të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar ndotjen detare dhe/ose i kërkon anijes të dorëzojë mbetjet e saj përpara largimit nga porti.
17. Ministria përgjegjëse për transportin, pas konsultimeve me ministrinë përgjegjëse për mjedisin, sigurojnë që kostot e instalimeve marrëse portuale për mbetjet e krijuara nga anijet, përfshirë trajtimin dhe largimin e tyre, të mbulohen përmes mbledhjes së tarifës ekologjike, të detyruar për anijet dhe mjetet lundruese për mbetjet.
18. Ministri përgjegjës për transportin dhe ministri përgjegjës për financat, me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, bazuar në modelet e ngjashme të porteve të rajonit, në përputhje me procedurat e përcaktuara në nenin 84, të ligjin nr.9251, datë 8.7.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, miratojnë, me udhëzim të përbashkët, vlerën e tarifës ekologjike te detyruar për anijet dhe mjetet lundruese, me qëllim marrjen e shërbimit, referuar në pikën 17, më sipër. Përllogaritja e përcaktimit të vlerës së kësaj tarife ekologjike bëhet bazuar në tonazhin përkatës të çdo mjeti lundrues, referuar parimit “Ndotësi paguan”.
19. Tarifën ekologjike të marrjes dhe përpunimit të mbetjeve e paguajnë të gjitha anijet dhe mjetet e lundrimit që ankorohen në portet e hapura dhe radat e tyre, pranë Drejtorisë së Përgjithshme Detare dhe, më pas, kjo e fundit likuidon, për çdo rast shërbimi, operatorin e instalimeve marrëse portuale, referuar kontratës përkatëse.
20. Tarifa ekologjike dhe sistemi i mbulimit të kostos, për përdorimin e instalimeve marrëse portuale, duhet të mos stimulojnë anijet dhe mjetet lundruese që të shkarkojnë mbetjet e tyre në det.
21. Tarifa ekologjike për anijet e peshkimit, anijet e shërbimit detar (rimorkiator, pilotina dhe bargat e ndryshme, që përdoren për punime në port), si dhe mjetet që përdoren për argëtim (jahtet, skafet sprotive, mjetet e vogla për gjueti amatore si dhe mjetet e vogla detare me më pak se 12 pasagjerë) do të jetë e ndryshme nga ajo e përcaktuar në pikën 20, të këtij vendimi. Ajo do t’i nënshtrohet një regjimi tjetër, për vet llojin e aktivitetit që ato ushtrojnë, sipas modelit më të përshtatshëm që do të propozohet nga Drejtoria e Përgjithshme Detare, dhe do të miratohet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit përgjegjës për financat.
22. Kapiteni i anijes që akomodohet në portet e hapura dhe radat e tyre në Republikën e Shqiperisë duhet të sigurojë që tepricat nga ngarkesat të dorëzohen në një instalim marrës portual, në përputhje me dispozitat Marpol 73/78. Përdoruesi i instalimeve marrëse paguan tarifën për dorëzimin e tepricave nga ngarkesat.
23. Kontrolli Shtetëror Portual/Kapiteneria e Portit duhet të sigurojë që çdo anije të jetë objekt inspektimi për verifikimin e përputhshmërisë së saj me rregullat e përcaktuara në pikat 14, 15, 16 e 24, të këtij vendimi.
24. Kontrolli Shtetëror Portual/Kapiteneria e Portit, kur inspekton anijet e autorizuara për të mbajtur jo më shumë se 12 pasagjerë, përveç mjeteve të peshkimit dhe mjeteve lundruese për argëtim, gjatë inspektimit:
a) vepron në kuadër të ligjit nr.9852, datë 26.12.2007, “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Memorandumin e Mirëkuptimit, “Për Kontrollin Shtetëror Portual”;
b) në qoftë se nuk bindet nga rezultatet e këtij inspektimi, duhet të sigurojë që anija të mos largohet nga porti pa dorëzuar, sipas pikave 14, 15 e 16, të këtij vendimi, mbetjet e krijuara dhe tepricat nga ngarkesat e saj në instalimin marrës portual;
c) informon autoritetin kompetent të portit tjetër të thirrjes, kur ka të dhëna të sigurta se anija ka dalë në det pa plotësuar rregullat e përcaktuara në pikat 14, 15 e 16, të këtij vendimi. Ky i fundit, përveç sa parashikohet në pikën 30, të këtij vendimi, nuk duhet ta lejojë anijen të largohet nga ai port derisa të kryejë një vlerësim më të detajuar të zbatimit të këtij vendimi, veçanërisht të saktësisë së çdo informacioni të dhënë, sipas pikave 11, 12 e 13, të këtij vendimi.
25. Drejtoria e Përgjithshme Detare përcakton procedurat e kontrollit që sigurojnë plotësimin e kërkesave të këtij vendimi nga mjetet e peshkimit dhe mjeteve lundruese për argëtim, të autorizuara të mbajnë jo më shumë se 12 pasagjerë, anijet e shërbimit detar, rimorkiatorët, pilotazhet,bargat etj.
26. Ministria përgjegjëse për transportin duhet të:
a) marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që kapitenët e anijeve, operatorët e instalimeve marrëse portuale dhe personat e tjerë të interesuar të informohen në mënyrën e duhur dhe të plotësojnë detyrimet që u burojnë nga ky vendim;
b) bashkëpunojë me autoritetet përkatëse ndërkombëtare, përfshirë IMO-n, dhe çdo ent tjetër tregtar, për të siguruar zbatimin efektiv të këtij vendimi;
c) sigurojë që informacioni i njoftuar nga kapitenët e anijeve, në përputhje me pikat 11, 12 e 13, të këtij vendimi, të shqyrtohet në mënyrën e duhur;
ç) sigurojë që formalitetet, në lidhje me përdorimin e instalimeve marrëse portuale, të jenë të thjeshta e të shpejta dhe nxitin kapitenët e anijeve të përdorin instalimet marrëse portuale e të shmangin vonesat e pajustifikuara të anijeve;
d) sigurojë që trajtimi, nxjerrja ose largimi i mbetjeve të krijuara nga anijet dhe tepricat nga ngarkesat e tyre të kryhen vetem nga operatorë të licencuar dhe të miratuar nga Ministria e Mjedisit, me lejet dhe licencat përkatëse, referuar legjislacionit në fuqi.
dh) informojë të gjitha palët e përfshira në dorëzimin ose marrjen e mbetjeve të krijuara nga anijet ose tepricat nga ngarkesat e tyre, për efekt kompesimi për dëmin e shkaktuar nga vonesa të pajustifikuara, në përputhje me Kodin Civil dhe Kodin Detar të Republikës së Shqipërisë.
27. Anija që ka dorëzuar mbetjet e krijuara prej saj mund të largohet nga porti.
28. Ministria përgjegjëse për transportin bashkëpunon me autoritetet përkatëse ndërkombëtare, përfshirë IMO-n, për ngritjen e një sistemi të përshtatshëm informacioni, identifikimi të anijeve dhe monitorimi, që:
a) lehtëson identifikimin e anijeve që nuk kanë dorëzuar mbetjet e krijuara dhe tepricat nga ngarkesat e tyre, sipas këtij vendimi;
b) lejon të vlerësohet nëse ëshë arritur qëllimi i përcaktuar në pikën 27, të këtij vendimi.
29. Ministria përgjegjëse për transportin bashkëpunon me autoritetet përkatëse ndërkombëtare, përfshirë IMO-n, për përcaktimin e kritereve të përbashkëta për identifikimin e anijeve.
30. Shkeljet e dispozitave të këtij vendimi, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe ndëshkohen sipas pikës 38, të nenit 62, të ligjit nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
31. Drejtoria e Përgjithshme Detare paraqet çdo vit, në ministrinë përgjegjëse për mjedisin dhe në ministrinë përgjegjëse për transportin, raportin për zbatimin e këtij vendimi.
32. Ministria përgjegjëse për mjedisin dhe ministria përgjegjëse për transportin bashkëpunojnë me Drejtorinë e Përgjithshme Detare për të siguruar përputhshmëri me parashikimet në fuqi të IMO-s, në qoftë se është i nevojshëm përmirësimi i regjimit të përcaktuar nga ky vendim, por pa zgjeruar objektin e këtij vendimi, referencat në instrumentet IMO dhe anekset e këtij vendimi.
33. Ngarkohen ministria përgjegjëse për transportin, ministria përgjegjëse për mjedisin dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare për ndjekjen e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA