Një 39-vjeçar shqiptar u ekzekutua mbrëmjen e kësaj të diele në qendër të Athinës. Sipas mediave greke, viktima ishte i ulur në një lokal pranë sheshit Atiki, kur në drejtim të tij u qëllua me armë zjarri. Një person ende i paidentifikuar shkoi tek lokali, që ndodhet në rrugën 104 Liosion dhe e qëlloi viktimën duke e lënë fillimisht të plagosur.
Ndonëse u transportua drejt spitalit, ai nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë. Shqiptari mësohet se humbi jetën si pasojë e një plumbi në kokë.
E gjithë ngjarja solli panik në zonë. Forca të shumta policie shkuan në vendin e ngjarjes, ashtu sikurse edhe ambulanca që transportoi drejt spitalit 39-vjeçarin.
Mediat greke thonë se viktima kishte precedentë të mëparshëm penalë, megjithatë deri më tani identiteti i tij nuk është bërë publik. Ngjarja dyshohet se ishte një atentat i mirëorganizuar.
Në mediat greke ka po ashtu raportime se viktima ishte pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Pritet që më shumë detaje për ngjarjen autoritetet greke të kenë nga dëshmitë e personave të shumtë që ndodheshin në zonë, në momentin kur ndodhi krimi.
g.kosovari