Gënjeshtrat e Berishës po lartësojnë Lulzim Bashen!

Nga Mero Baze

Sali Berisha ka hyrë në një spirale gënjeshtrash të përditshme, në përpjekje për t’i ndërtuar vetes dhe PD një histori të panjohur të tij me Lulzim Bashën. Dështimi i i tij spektakolar në Shkodër, ku e refuzuan gjithë deputetët dhe kryetari i partisë, duke e lënë përballë një turme militantësh ,shumica me probleme të forta personaliteti, ai vazhdoi të përsërisë gënjeshtra me të cilat kërkojnë të ushqejë pafajësinë e tij në raport me Partinë Demokratike, humbjen e pushtetit, garën e munguar brenda PD, mbështetjen pa kushte të Lulzim Bashës, dhe mbi të gjitha, të maskojë ndëshkimin e tij nga SHBA si një tradhti të Lulzim Bashës.

Edhe pse Lulzim Basha ka zgjedhur ta injorojë betejën publike me Sali Berishën, pasi ka leverdi nga gënjeshtrat e tij, kjo nuk e zgjidh problemin.

Stereotipi i gënjeshtrave të reja të Berishës është unik. Ai tani nuk ka se si të justifikojë aktet publike pro Bashës dhe shkatërrimin e PD, dhe shpik ngjarje tavolinash, kafenesh dhe zyrash, duke përgënjeshtruar vetveten.

Të gjithë ata që kanë besuar se Sali Berisha është një politikan që nuk gënjen, kanë pasur argument, atë argument që Berisha e ka përdorur më shumë se gjithkush tjetër, faktin që ai flet njësoj si në publik dhe në zyrë. Pra vetë Berisha ka thënë dhe është lavdëruar me faktin se ai thotë në publik atë që mendon.

Ai është përpjekur deri më sot t’u mbushë mendjen njerëzve se nuk është politikan kulisash dhe atë që ta thotë në sy në zyrë, atë të thotë dhe në publik.

Tani ka nisur të korrigjojë dhe personalitetin e tij. Ka filluar të thotë që mos besoni ato që kam thënë në publik, se kam pas mendim tjetër në zyrë dhe shpik histori që nuk kanë ndodhur. Dhe këto po i shpik jo vetëm për Lulzim Bashën, qe është akoma gjallë, por dhe për këdo tjetër.

Në Durrës e pa që një militant lavdëroi Sokol Olldashin dhe pa ju dridhur gjunjët fare u ngrit në këmbë e mbajti një minutë heshtje për të, e më pas u betua se nuk ndërhyri në fushatën e tij. Ndërhyri aq brutalisht, sa ka kërcënuar nënkryetarin e partisë dhe sekretarin e Përgjithshëm, plus dhjetëra kryetarë degësh, që të mos mbështesin Olldashin.

Por Olldashi nuk është më dhe Berisha e ka traditë që kundërshtarët e vdekur i do shumë. Si Azemin.

Ka shpikur gënjeshtrën që i ka kërkuar dorëheqjen Lulzim Bashës më 2017. Ai jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, por ka deklarata publike në mbështetje të rizgjedhjes së tij. Ai ka heshtur kur kutitë e votimit në PD u mbushën pa qenë nevoja kundër Eduard Selamit, dhe kur dolën video që tregonin se njerëzit votonin disa here, ai heshti.

Ai mbështeti publikisht Lulzim Bashën dhe rizgjedhjen e tij, i cili mund të ishte rizgjedhur dhe pa ato vjedhje votash.

Por tani Sali Berisha pranon të deformojë personalitetin e tij, pranon të thotë që unë ndryshe flas në publik e ndryshe flas në zyrë, vetëm që të shpikë gënjeshtra kundër Lulizm Bashës.

Shpiku gënjeshtrën se në shkurt të 1991, kur Azemi ju ankua për parregullsi, ai përsëriti votimin të vinte të drejtën në vend. Në fakt Azemi nuk i është ankuar fare, por ai u tërbua që në vend të Azemit u zgjodh Aleksandër Meksi dhe prishi votimin për t’u zgjedhur vetë.

Shpik gënjeshtrën që ka pas foto të Fatos Klosit me një vëzhgues zgjedhjesh më 2001 dhe paska shantazhuar vëzhguesin e huaj. Kjo ngjarje nuk ka ndodhur kurrë, edhe pse zgjedhjet e 2001 ishin një katastrofë zgjedhore për shkak të ndërhyrjes brutale të qeverisë së Ilir Metës.

Ky njeri që nuk ka lënë kënd pa marrë nëpër gojë, nuk përmend kush ishte ky i huaj dhe pse ky e paska shantazhuar dhe nuk e ka denoncuar, pasi ky mbahet si njeri që të denoncon dhe nuk të shantazhon. Në fakt janë të gjitha gënjeshtra të një njeriu të gjallë.

Shpiku se ka thirrur Astrit Patozin në zyrë pas 2017 dhe i ka thënë se jeni në të drejtën tuaj tani që Basha ju ka eleminuar. Në fakt, për fat Patozi është gjallë dhe kjo nuk ka ndodhur. E kundërta ka ndodhur. Ai i ka sulmuar ata publikisht, si njerëz që po ikin nga PD e po mbështesin Edi Ramën.

Është një spirale e tërë gënjeshtrash te përditëshme, që së paku këta që janë gjallë duhet t’ia thonë në sy që gënjen, edhe pse kjo nuk ka shumë rëndësi për të.

Me këtë vrull gënjeshtrash që ai ka nisur për Lulzim Bashën, në përpjekje për t’u dukur burrë i mirë, pas pak kohësh Lulzim Basha do të ketë të drejtë të thotë se gjatë tetë viteve, ka pas betejë të përditëshme me Berishën dhe jam ka dalë, ndryshe nga sa është e vërteta.

Dhe mjafton të citojë për këtë gënjeshtrat e reja të Berishës. Ai eshte njeriu më i fituar nga gënjeshtrat e Berishës. Berisha u mundua për tete vite ta quante Bashën kryetar të PD, por askush nuk ia quajti dhe po e bën me zor këto dy javë. Po ti marresh seriozisht ato, Lulzim Basha lartesohet shumë si figurë qe e ka injoruar Sali Berishën.

Kur e mendoj veten dhe të tjerë që e kemi mbështetur këtë njeri, në ditë të vështira, ku dhe mund të ishim vrarë rastësisht, më kap të qeshurit kur mendoj se ai tani me siguri do të akuzonte Lulzim Bashën se “ke shkel mbi gjakun e Mero Bazes”.

Për fat jam gjallë e po më shijon shumë kjo përpëlitje e tij si një plak mashtrues dhe është rasti t’u kujtoj atyre që po e mbështesin, se janë duke harxhuar energji për një të vdekur të pakallur.

Lulzim Basha dhe kushdo tjetër që ai përdor për të shpikur gënjeshtra nuk duhet të bëjnë betejë me të, por patjetër e kanë detyrim të bëjnë betejë me gënjeshtrat e tij, duke ja hedhur poshtë. Është i vetmi oksigjen që atij i ka mbetur në salla të degraduara militantësh, i braktisur nga deputetët dhe partia në çdo rreth.

PD e ka respektuar Berishën se është mbajtur për njeri që nuk gënjente dhe që ti thoshte gjërat hapur, kurse ky po përpiqet t’u mbushë mendjen se nuk ka qenë i tillë, por ka fol ndryshe në tavolina e ndryshe në tribuna. Po të jetë kështu ata mirë kanë Lulin, se ai së paku nuk është mburrur ndonjëherë që thotë të vërtetën.

Next Post

Leave a Reply

Your email address will not be published.

LAJMET E FUNDIT

Welcome Back!

Login to your account below

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com