Për ish-ministren e Integrimit Klajda Gjoshaj ‘Ballkani i Hapur’ është një pengesë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. E ftuar në emisionin “Real Story” ajo tha se ka një mungesë informacioni dhe transparence në lidhje me këtë proces i cili nuk dihet se ku do të na çojë.
“ Ne preferojmë t’i ikim procesit të integrimit. Gjejmë hapësira të tjera për tu shmangur për t’u bërë pjesë e politikave më të mëdha se sa supet tona mbajnë. Rama bën mirë të nxjerrë shqiptarët nga balta sesa të mendojë përtej ku ne e kemi një proces që është procesi i Berlinit i cili ka dhënë një rezultat edhe pse jo ai që duhej. Krijoi një bashkëpunimi rinor dhe mënyra si funksionoi ishte e duhura. A jemi atje ku donim? Jo. Ne nuk ishim të aftë të bënim një strategji deri në vitin 2030. Për ‘Open Balkan’ ka pasur mungesë informacioni dhe transparence se çfarë do të sjellë si proces. Merkel në vizitën e saj as nuk e përmendi termin “Balkani i Hapur’ dhe kryekomisionerja thotë se duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe duhet të ketë një arbitër. Ballkani i Hapur ka vetëm 3 kryeministra që janë bërë bashkë për të krijuar një iniciativë që nuk dihet se ku do të na çojë. Mendoj që me këtë ne i kemi hapur telash vetes me këtë proces pasi është një pengesë për integrimin”- tha Gjoshaj.
Ndërsa për ish-deputeten Arta Dade Ballkani i Hapur është një mbivendosje e Procesit të Berlinit. Sipas saj krijimi i një nisme që nuk është brenda Procesit të Berlinit është më shumë retorikë dhe propagandë.
“Nuk ka asgjë të keqe kur ka nisma për bashkëpunim. U bë tentativë për të marrë pjesë edhe shtete të tjera. Asgjë e mirë nuk vjen nga ato nisma që mbivendosen. Ka mbivendosje mbi procesin e Berlinit i cili ishte një instrument i duhur për integrimin. Krijimi i disa nismave të tjera që nuk janë brenda Procesit të Berlinit është propagandë sesa ka thelb. Këto nisma nuk kanë miratimin e atyre që kanë iniciuar procesin e integrimit. Këto nisma janë vetëm retorikë”- tha ajo.
/a.r