Të burgosurit politik në Bjellorusi mund të strehohen në Shqipëri në të ardhmen, kështu bëri me dije Sviatlana Tsikhanouskaya, liderja e opozitës bjelloruse, ndërsa konfirmoi se kjo ishte një ndër pikat për të cilat foli me kryeministrin Edi Rama gjatë takimit një ditë më parë.
Për “Top News”, Tsikhanouskaya u shpreh se të burgosurit politik në Bjellorusi kanë vuajtur shumë dhe se vendi ynë mund të bëjë shumë me programet e rehabilitimit.
“Ndonjëherë vendet e vogla, vendimet e tyre janë më të rëndësishme se të vendeve të mëdha sepse çdo vend ka një zë të fuqishëm, veçanërisht nëse ai vend merr pjesë në Organizata Ndërkombëtare. Shqipëria mund të bëjë shumë për Bjellorusinë, kryesisht për programet e rehabilitimit të të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre. Të burgosurit tanë kanë vuajtur shumë dhe Shqipëria mund t’i presë në të ardhmen. Me Ramën folëm për programin e rehabilimit dhe për evente kulturore në Shqipëri”, tha ajo.
Sviatlana Tsikhanouskaya vizitoi vendin tonë për herë të parë ditën e djeshme, pas ftesës nga kryeministri Edi Rama, ndërsa gjatë takimit me kreun e qeverisë u diskutua mbi demokracinë në Bjellorusi. Po ashtu Tsikhanouskaya zhvilloi edhe një takim me Presidentin Ilir Meta.
Tsikhanouskaya ka garuar kundër Aleksander Lukashenko në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe pas humbjes në zgjedhje dhe kërcënimeve të vazhdueshme ajo është larguar për në Lituani, ku edhe mori azil politik.
/a.r