5 anëtarë të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës unanimisht kanë vulosur me votë pro shkeljet që 5 kompani të importit dhe përpunimit të grupit kanë bërë duke monopolizuar tregun e duke përcaktuar në bllok çmimin, por t’i ndëshkuar me gjobë rreth 5 milionë euro në total, 3 anëtarë janë tërhequr.
Kështu, ndërmarrjet Agro Blend, Miell Tirana, Bloja, Atlas sh.a dhe Atlas Mills, edhe pse u hetuan nga Konkurrenca për më shumë se 1 vit, nga 2020-a, i shpëtuan gjobës, ndërkohë që nga gjithë kjo situatë qytetarët sot po vuajnë rritjen e çmimit të bukës.
“Gjatë monitorimit janë konstatuar shkelje që janë përmbledhur ne raportin e monitorimit që përgatiti Sekretariati që është miratuar nga të gjithë anëtarët. Raporti i është dërguar palëve për tu dëgjuar në seancë dhe në përfundim dilet me një vendim për sjelljen e ndërmarrjeve.
Edhe pse raporti është miratuar nga të gjithë anëtarët e komisionit me të gjitha shkeljet e konstatuara nga Sekretariati në vendimin përfundimtar nuk është arritur shumica për të marrë një sanksion siç është propozuar”, u shpreh Indrit Reka, drejtori i Kabinetit të Autoritetit të Konkurrencës.
Gjoba e propozuar nga Sekretariati sipas drejtorit të Kabinetit të Autoritetit të Konkurrencës Indrit Reka, do të ndahej mes kompanive jo në mënyrë të barabartë.
“Vlera varionte nga 3.2 deri ne 10% të xhiros totale të vitit të kaluar, vlera ishte e konsiderueshme, rreth 500 milion…
“Gjoba do të ndahej në bazë të veprimtarisë dhe shkeljes së bërë”, shprehet drejtori i kabinetit të Autoritetit të Konkurrencës.
Por çfarë detyrash i kishte vendosur Autoriteti i Konkurrencës oligarkëve të miellit, të cilët përgjatë fazës 1-vjeçare të monitorimit, nuk zbatuan asnjërën prej tyre.
Katër detyrat e lëna nga Konkurrenca pas një monitorimi 1 vjeçar ishin:
1.Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes.
2.Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet;
3.Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit;
4.Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë Autoritetit të Konkurrencës.
Por a ka mundësi që ky vendim të apelohet?
“Çështja është përfunduar sepse është marrë vendim për të mos vijuar më tej, ndryshe nga vota e kryetares dhe anëtares për sanksionimin me gjobe në bazë të shkeljeve. Nëse është marrë vendim për mos sanksionim nuk mund të vijohet me procesin pasi është i mbyllur hetimi, është bërë dhe hetimi i thelluar është bërë dhe monitorimi dhe nuk ka procedurë të mëtejshme”, pohon drejtori Reka.
Raporti i monitorimit u hartua nga Sekretariati me të gjitha shkeljet që vijonin të ishin në treg, dhe ju dërgua më pas komisionit të Konkurrencës dhe u miratua nga të gjithë anëtarët, dhe më pas i njëjti raport iu është dërguar kompanive për të marrë reagime nga ata ose me shkrim ose me seancë dëgjimore.
Pas përfundimit të kësaj procedure është zhvilluar mbledhja e 29 shtatorit, ku 3 anëtarët kishin ndryshuar qëndrim dhe votuan kundër vendosjes së gjobës.
Bazuar mbi raportin e Sekretariatit që evidentonte rezultatet e hetimit ndaj ndërmarrjeve, 3 anëtarë të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Adriana Berberi, Denar Biba dhe nënkryetarja Leida Matja votuan kundër në mbledhjen e 29 shtatorit, përballë vetëm 2 votave pro të kryetares Juliana Latifi dhe Eduard Ypit.(Shqiptarja.com)