Shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesat nisi një hetim mbi ngjarjen e rëndë ku mbeti vrare nënkomisari Saimir Hoxha.
Mësohet se do të verifikohen të gjitha procedurat që janë ndjekur në ndërmarrjen e operacionit anti-kanabis, planin operacional për asgjësimin e lëndës narkotike si dhe nëse duhej të kishte forca mbështetëse.
Shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesat mësohet se ka marrë të gjitha materialet nga Policia e Lezhës ndërsa pritet të zbardhen dhe veprimet e shefit të krimeve dhe specialistit të zonës që ishin në vendngjarje.
Nga ana tjetër, pas verifikimeve ka rezultuar se në automjetin tip Volksëagen Polo nuk është gjetur kanabis ose lëndë e dyshimtë. Ndonëse dy miqtë e Aldi Ramës thanë në polici se kishin dalë në zonë për të pirë cigare hashashi diçka e tillë ende nuk është vërtetuar pasi atyre nuk iu gjetën lëndë të dyshimta.
Policia, deri më tani, nuk ka mundur të bëjë lidhjen mes parcelës së hashashit dhe Armando Markut, Kristjan Sherrit dhe Aldi Ramës.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së martës kur tre efektivë ndaluan në një postbllok të bërë aty për aty tre të rinjtë. Dy prej tyre pranuan të japin dokumentet e identifikimit dhe u kontrolluan nga efektivët, por 21-vjeçari Aldi Rama nga brendësia e makinës qëlloi për vdekje nënkomisarin Hoxha./m.j