Akreditimi i Akademisë së Forcave të Armatosura, si një institucion i arsimit të lartë për herë të parë në vitin 2020, kur u hapën dhe programet e para Bachelor, ka ngjallur interes të lartë të të rinjve për degët e hapura në shkollën që formon forcat elitë të mbrojtjes.
Së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u takua me studentët e parë të shkollës ushtarake për të shpërndarë Kartat e Studentit, përmes të cilave Bashkia e Tiranës u ofron 1450 shërbime të ndryshme falas, ose me çmim të reduktuar mijëra të rinjve në kryeqytet.
Veliaj tha se deri më tani Kartën e Studentit e kanë aksesuar 70% e studentëve, ndërsa ftoi që edhe studentët që ende nuk e kanë marrë ta sigurojnë atë, në mënyrë që të përfitojnë nga shërbimet publike dhe private që mbulon.
“Më vjen mirë që sot, mbi 70% e studentëve kanë një kartë studenti, për të cilën u fol shumë, por vetëm kur ka vullnet bëhen gjërat. Së bashku me Nikon kishim vullnet për ta sjellë këtë shërbim edhe këtu dhe u bë. Dua shumë që t’i ftoj të gjithë studentët, që teksa kthehen në tetor për studime, të marrin kartën e studentit, e cila sot ka 1450 shërbime. Disa janë ditore, siç mund të jetë aboneja e autobusit, një supermarket, një kancelari, një mensë. Disa të tjera ndoshta janë më të rralla. U hap Teatri i Operas dhe Baletit, ka edhe aty një ulje, pra shërbime të tilla ku njeriu nuk shkon përditë, por i ka të nevojshme,” u shpreh Veliaj.
Ai tha se Karta e Studentit është ekuivalente në çdo qytet europian për studentët tanë.
“Teksa Tirana vitin tjetër është Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe Presidentja e Bashkimit Europian, Ursula Von der Leyen e shpalli të gjithë vitin si Vitin Europian të Rinisë, përdorimi i kartës, si në Shqipëri edhe jashtë, besoj se ndihmon,” tha ai, duke shtuar se ndihet i lumtur që Akademia e Forcave të Armatosura po transformohet sipas standardeve të West Point Army.
“Si dikush që është rritur nga dy prindër ushtarakë, e di që është një ndër vendet elitë dhe ishte muzikë për veshët e mi kur dëgjoj nga Niko që edhe ai edhe Kryeministri do vazhdojnë të thellojnë raportin me West Point,” deklaroi Veliaj. Ministri Peleshi shprehu mirënjohjen për vëmendjen e Bashkisë së Tiranës ndaj të rinjve që kanë zgjedhur të bëhen pjesë e Akademisë së Forcave të Armatosura. “Interesi i të rinjve është i jashtëzakonshëm. Kemi patur 1000 aplikime për 60 vende tek Bachelor këtë vit. Duke filluar nga ky vit do të kemi edhe dy degë të reja në Akademi: “Teknologji Informacioni në Fushën e Mbrojtjes” dhe “Navigim Detar në Fushën e Mbrojtjes”.
Pra jemi duke u transformuar sipas një modeli kampion lider që është West Point,” tha ndër të tjera Peleshi. Akademia e Forcave të Armatosura ofron një pagesë mujore për çdo student për të gjithë periudhën e studimit, si dhe akomodim dhe ushqim falas për tre vitet e studimit. Studentë nuk paguajnë asnjë tarifë për studimet dhe në përfundim të tyre punësohen përmes mundësive që japin FA.
/b.h