Një ndër pikat e programit të qeverisë ishte edhe ajo që kishte të bënte me manifakturën, një nga sektorët e përcaktuar me rëndësi dhe që synoi kalimin në cikël të mbyllur nëpërmjet aksesimit të garancisë sovrane, 50 milionë euro. Në finale, kjo është një marrëdhënie mes biznesit fason dhe bankës. Por, sa garanci ka qeveria që bizneset e kësaj fushe do të aksesojnë këtë garanci sovrane?
E ftuar në A2 Business, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, u shpreh se kushtet për garancinë sovrane do të diskutohen me biznesin në mënyrë që të përthithet sa më shumë.
“Ecuria e biznesit fason ndonëse pati një goditje, si nga efektet e kursit të këmbimit dhe nga pandemia, kërkesat për produkte shqiptare kanë qenë në rritje nga jashtë vendit. Kjo do të thotë se biznesi fason ka pasur një ecuri pozitive dhe bilancet kanë qenë pozitive. Aksesi në financë dhe garancinë sovrane garantohet nga qëndrueshmëria e këtij sektori post pandemisë. Disa kategori në këtë sektor kanë performuar edhe më mirë se në vitin 2019.
Ne do të analizojmë efektet dhe masën e përthithjes së garancisë sovrane. Sigurisht, të gjitha shifrat në këtë sektor tregojnë për një qëndrueshmëri të këtij sektori. Interesi i qeverisë është që garancitë sovrane të përthithen sa më mirë nga biznesi. Uroj që të mos rigjendemi në kushtet e fillimit të pandemisë. Patjetër që kushtet do të negociohen, do të diskutohen me biznesin me qëllim që të arrijnë të përthithen sa më shumë të jetë e mundur”, u shpreh ministrja Ibrahimaj në A2 Business.
/b.h