Kreta vijon të jetë në ankthin e lëkundjeve të tërmetit, ku një person ka humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur. Pas tërmetit të rënë një ditë më parë në orët e para të mëngjesit të kësaj të martë lëkundje e forte tërmeti është ndjerë në Heraklion.
Mediat vendase bëjnë me dije se një tërmet me magnitudë 5.3 të shkallës Rihter ka tronditur Heraklion në orën 07:48.
Sipas regjistrimit automatik të Institutit Gjeodinamik, epiqendra e tërmetit ishte Arkalochori, ku dje u regjistrua tërmeti me magnitudë 5.8. Ndër të tjera mësohet se thellësia e tërmetit ishte 13.9 km me epiqendër 22 km në Heraklion, të Kretës.
Ndërkohë nga lëkundjet e tërmetit të një dite më parë përveç një viktime në Kretë janë shënuar dhe shumë dëme material në ndërtesa dhe biznese.
Banorët janë shfaqur të frikësuar dhe për shkak të panikut u detyruan ta kalojnë natën jashtë. Autoritetet kanë ngritur çadra jashtë për qytetarët për të kaluar natën. Mbi 2500 njerëz janë strehuar në çadra.
Forcat e armatosura, vullnetarët dhe anëtarët e Kryqit të Kuq instaluan mbrëmjen e djeshme çadra në qendrën ekspozuese të Arkalochori.