Nga Ylli Pata/ Vizita e Edi Ramës në Prishtinë, direkt nga Nju Jorku, ku kërkoi anëtarësmin e Kosovës në OKB ishte një sinjal politik i fortë. Ka të drëjtë Besnik Mustafaj, kur tha sot që prej vitit 2008, të gjithë përfaqësuesit e Shqipërisë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator kanë hënë gjithmonë që Kosova duhet të anëtarësohet. Por në dritën e zhvillimeve agresive në veri të Kosovës, lëvizje e Edi Ramës ishte më shumë se adekuate; ishte në kohën e vendin e duhur.
Plus mesazhit dhe qëndrimit që u dha në konferencën me Albin Kurtin që ishte më shumë se mbështetje e Tiranës zyrtare; një rreshtim i qartë, i plotë i dy shteteve në një llogore; sot diplomatike, e ndoshta nesër nëse ndodh si në 1999, edhe më shumë se kaq.
Në thelb, vizita e Edi Ramës në Kosovë shkriu gjithë akujt e tij me Albin Kurtin dhe ktheu, natyrisht jo krejt, marrëdhënien e vjetër mes tyre. Një zhvillim pozitiv pasi tensionoi një mjedis artificial e të rrezikshëm mes dy vendesh. Ishte një zhvillim i dobishëm, për të mos thënë fjalë të tjera që në këtë rast nga kundërshtarët e palëve merren si anësi apo lavdërime të tepërta.
Megjithatë, një nga lajmet e shumta të vizitës së Ramës në Prishtinë ishte takimi i kryeministrit shqiptar me Ramush Haradinajn. Ku u duk se e gjithë epoka e zymtë mes tyre nuk kishte ekzistuar. Kortezi, mikpritje, protokoll perfekt siç di të bëjë një “zviceran” si Ramushi, e natyrisht korrektesë institucionale.
Rama takoi edhe Behgjet Pacollin, me të cilin kanë edhe një raport institucional e kjo u duk natyrshëm në takim, e Fatmir Limajn.
Më pas, kryeministri shkoi në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës. E këtu realisht ndodhi lajmi real i vizitës së Ramës në Prishtinë. PDK, për PS-në është homologia, partia “motër”, ku relacionet kanë qenë më shumë se politike. E këtë e ka thënë me gojën e vet Edi Ramë disa herë. Në mes të fushatës elektorale, nga Kukësi, ai përmendi e falënderoi Hashim Thaçin, i cili nga Haga i ktheu përshëndetjet me nëj letër të shkruar bukur kur Rama mori mandatin e tretë.
E sot kur Edi Rama mbërriti në selinë e njohur për çdo të majtë që shkon në Prishtinë, në bulevardin “Nëna Terezë”, nuk takoi asnjë “shenjë” me peshë të Uashtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo PDK-së reale, por vetëm Memli Krasniqin, Abelard Tahirin, një vajzë të re dhe sfondin blu ku ishte shkruar PDK.
Dy vite më parë, kur kryeministri i Kosovës vrapoi në Prishtinë pas aktakuzës ndaj Thaçit, takoi në PDK Kadri Veselin, një nga krerët e UÇK-së, Xhavit Halitin, një emër mitik e faktik i drejtimit të Luftës Çlirimtare, plus grupit të famshëm të Rambujesë.
E sot PDK-ja e re e Memlit, një reper shumë popullor, që babain, një publiçist të njohur shqiptar, e ka pasur themelues të LDK-së e bashkëpunëtor të afërt të Ibrahim Rugovës, nuk kishte asnjë shenjë jo thjesht nga partia e Hashim Thaçit, po as nga ajo stemë që gjithsesi është ende hitt në mediat ndërkombëtare.
Në fakt ky ishte lajmi real i vizitës së Edi Ramës në Prishtinë, një transformim i PDK-së jashtë çdo imagjinate që dikush e ka menduar. Një parti blu, që si ideolog ka profesorin nga Shqipëria Adri Nurellari, një konservator djathtist, që ka ndihmuar shumë që PDK-së t’i hiqet e shkuara marksiste e saj.
Por që brenda Kosovës, të gjitha votat “”marksiste” i kanë shkuar e sipas gjasave do t’i shkojnë Albin Kurtit. E kundërshtia e Memlit e profesor Nurellarit kundrejt Albinit do të vijojë në Facebook, me citate të antimarksistëve më të famshëm të botës.
E në Kosovë, pas Prizrenit, Mitrovicës, bastione të vjetra të UÇK-së jo thjesht prej luftës por edhe prej figurave mitike si Bajram Rexhepi, edhe Drenica, shtylla kurrizore e partisë së Hashim Thaçit mund të fitohet në zgjedhjet e tetorit nga Vetëvendosja. E ky është jo vetëm lajmi, por realisht drama e zhvillimeve politike të Kosovës. Natyrisht në radhë të parë për faj të Hashim Thaçit e Kadri Veselit…