Një 25-vjeçar italian me iniciale G.C. është arrestuar nga policia kufitare në Kakavijë pasi ka tentuar të hyjë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara. Policia njofton se gjatë kontrollit atij i është gjetur dhe sekuestruar një kartë identiteti e falsifikuar.
Gjithashtu në lidhje me këtë çështje është procedura edhe 60-vjeçari nga Vlora me iniciale A.T. pasi dyshohet se ka ndihmuar të riun italian për të kaluar kufirin. Tashmë materialet i kanë kaluar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë
Ndalohet një shtetas italian për veprat penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit”, si dhe procedohet një shtetas për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Shërbimet e Policisë Kufitare Kakavije, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në analizën e riskut, në hyrje të RSH kanë kapur shtetasin italian G. C., i cili ka hyrë në mënyrë të paligjshme.
Gjithashtu gjatë kontrollit personal të ushtruar nga shërbimet e policisë kufitare, iu gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kartë identiteti italiane e falsifikuar.
Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër u bë ndalimi i shtetasit G. C., 25 vjeç, banues në Itali, si dhe u procedua shtetasi A. T., 60 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se i ka dhënë ndihmë shtetasit G. C. për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
/m.j