Për të shtatën ditë radhazi situate në veri të Kosovës mbetet e njëjtë, me bllokimin nga serbët në pikat kufitare të Bërnjakut dhe Jarinjës.
Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.
Ndërsa në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, në orët e para mëngjesit të së dielës janë parë dy avionë nga Serbia duke fluturuar në afërsi të kufirit me Kosovën
Sipas hetimeve aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat nuk kanë shpërthyer.
Situata duket e nderë dhe mes serbëve që sillen si cuba kufiri janë bashkuar edhe disa rusë të cilët ashtu si qeveria e tyre, mbështesin Beogradin.
Serbëve nuk po u pëlqen që të futen në Kosovë me targa provizore, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës kanë disa vite që detyrohen të futen me targa provizore në Serbi. Tani që po zbatohet reciprociteti, serbët po nxjerrin dhëmbët, kurse diplomacia evropiane qartazi po del në mbështetje të Beogradit.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të largojnë menjëherë policinë speciale dhe barrikadat në veri të Kosovës.
“Unë vazhdoj ta ndjek nga afër situatën në veri të Kosovës. Serbia dhe Kosova duhet të de-përshkallëzojnë pa kushte situatën në terren, duke tërhequr menjëherë njësitë speciale të policisë dhe duke çmontuar postblloqet. Çdo provokim i mëtejshëm ose veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë zgjidhje për të zbutur situatën dhe për të rënë dakord për rrugën përpara, ndaj edhe siç ka thënë ai, të dy shtetet do të jenë përgjegjëse për çdo rrezik për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve lokale.
Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë. Ish kryeministri Ramush Haradinaj, tha sot se Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj.
Njëkohësisht ai kërkoi nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara.
Ndërkohë, kryesuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt mbrëmë mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
Në mbledhje u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.
Në veçanti u diskutua koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend.
Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
/a.r