Drejtuesi politik i PS në Fier, Taulant Balla ka zhvilluar një takim në këtë qytet ku shfaqet në krah të Petro Koçit dhe kryebashkiakut Armando Subashi.
Koçi pas zgjedhjeve hodhi akuza se tenderat në Fier i fitojnë trafikantë droge e kriminelë teksa pati rezerva edhe për punën gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.
Gjithsesi Balla ka deklaruar se të gjithë kanë mësuar nga gabimet e së shkuarës dhe është koha për një analizë të thellë në Fier, në mënyrë që të përmirësohet rezultati zgjedhor dhe PS të behet gati për fitoret e 2023 dhe 2025.
STATUSI NGA TAULANT BALLA
Fier🌹🇦🇱 Zhvilluam gjatë tre ditëve, takime në njësitë administrative Cakran, Frakull, Levan, Portëz, Libofshë, Mbrostar, Qendër, Dërmenas, Topojë dhe në katër rajonet e qytetit Fier, ku Partia Socialiste ka marrë rezultate pozitive elektorale gjithmonë.
Ne rikonfirmuam 74 mandate më 25 Prill, nga të cilat 9 në qarkun Fier, edhe pse populli shqiptar na besoi të paktën 78 mandate, nëse nuk do të ishte numri i papritur i fletëve të pavlefshme të atyre që kishin në zemër PS12🌹🇦🇱, por gabuan me shenjën e preferencës së kandidatëve.
Partia Socialiste ka në Fier një strukturë organizative tepër të mirë, por që do të vazhdojë të përmirësohet në të gjitha nivelet, duke e paraprirë nga një analizë e imtësishme e rezultatit të zgjedhjeve në cdo QV.
Besoj se të gjithë kemi mësuar nga gabimet e së shkuarës, kur lënia në harresë e strukturës së partisë, nuk na ka dhënë rezultatin e duhur në përballjen elektorale të radhës. Ne sot jemi në kohën e duhur për të realizuar një analizë të thellë dhe objektive të rezultatit në cdo qendër votimi, pra në cdo organizatë socialiste.
Nga kjo analizë dhe ripërtëritje e fuqisë sonë organizative ne duhet të bëhemi tërësisht gati për fitoren e zgjedhjeve vendore të vitit 2023, dhe ato parlamentare në vitin 2025, për mandatin tonë të katërt qeverisës.