Plot 677 qirinj të ndezur “në stokun e kromit pranë minierës së Bulqizës”, ndriçuan mbrëmjen e së premtes, në përkujtim të minatorëve që kanë humbur jetën, duke punuar në këto galeri.
“Nga të dhënat që kemi mbledhur falë një studimi të thelluar, numërohen 677 persona që kanë humbur jetën në galeri. Kanë rënë në këto galeri duke punuar për mbijetesë.”
Minatori Ramazan Islami, tregon se gjatë 30 viteve të punës në minierat e Bulqizës, askush nuk është kujtuar për ta madje kërkesat e tyre janë injoruar.
“Kam 30 e ca vjet në minierë , tani kam dalë në pension. Kam 4 vetë të rënë vetëm nga familja ime. Gjithmonë të drejtat e minatorëve janë shkelur me këmbë. Na kanë premtuar si e majta si e djathta, por janë vetëm premtime, realizime s’kanë bërë asnjëherë. Gjithmonë na kanë mashtruar. Kushtet në minierë janë mizerabël, nuk pyet askush për klasën punëtore. Ne kemi bërë disa herë protesta për kushtet e punës, por kanë rënë në vesh të shurdhër.”
Të rinjtë e qytetit përcollën mesazhe ndaj shtetit dhe kompanive që operojnë në sektorin minerar për më shumë siguri në punë, për më shumë vëmendje ndaj kësaj kategorie të shoqërisë. Miniera e Bulqizës, e filloi aktivitetin më 18 shkurt të vitit 1948. Që prej ditës së parë, puna në galeri vazhdon edhe sot të jetë e rrezikshme për jetën e minatorëve.
Vetëm gjatë këtij viti, kanë humbur jetën tre minatorë ndërsa shumë të tjerë janë plagosur. /abcnews.al/