Policia e Lushnjes ka publikuar pamjet e arrestimit të Sami Veliut, i cili qëlloi me kallashnikov vëllain e tij Faik Veliu 65 vjeç mëngjesin e sotëm. Ngjarja ndodhi në fshatin Ngurrëz e Vogël të Lushnjes.
Pas ngjarjes, autori u arratis dhe u fsheh në një shtëpi të braktisur të fshatit. Aty iu gjet edhe arma e krimit tip kallashnikov, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.
Policia sqaron edhe dinamikën e ngjarjes. Faik Veliu kishte dalë jashtë banesës së tij rreth orës 05:00 për t’u kujdesur për bagëtitë.
Në këtë moment është qëlluar me automatik nga distanca nga vëllai i tij. 65-vjeçari ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë nën kujdesin e mjekëve.
Paraprakisht dyshohet që ngjarja të ketë ndodhur për motive pronësie. Sami Veliu akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
/a.r