Viktor Marku dhe Sebastian Mali, të ndaluar si persona të dyshuar për vrasjen e Hekuran Billës mund të lihen të lirë brenda pak ditësh. Gazetarja Klodiana Lala tha se Prokuroria ka kërkuar pushimin e çështjes edhe për Adiola Lakrën. “Viktor Marku dhe Sebastian Mali, dajë e nip dyshoheshin nga prokuroria dhe kanë qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pasi dyshoheshin se kishin kryer vrasjen për motive gjakmarrje të Hekuran Billës.
Ky i fundit ishte dënuar nga autoritetet britanike për vrasjen e Prel Markut, vëllain e Viktor Markut pas një sherri për parkimet në Britaninë e Madhe. Ai kishte plagosur atje dhe disa persona të tjerë. Në 2007 Hekuran Billa ishte ndaluar në Danimarkë dhe më pas u ekstradua në drejtim të Britanisë së Madhe dhe prej andej në Shqipëri, por më pas u lirua me kusht nga Gjykata e Krujës.
Pak muaj pasi rifitoi lirinë ai u ekzekutua më 19 plumba në rrugën “Prokop Mima”, teksa po kthehej në banesën e tij dhe do të kishte një takim me Adiola Lakrën me të cilën kishte një marrëdhënie intime. Prokuroria ka kërkuar zyrtarisht pushimin e kësaj çështje penale dhe shuarjen e masës së sigurisë për dy personat e arrestuar dhe për Adiola Lakrën, çka do të thotë që vrasja e Hekuran Billës rrezikon të arkivohet dhe mbetet pa autorë. Fjalën e fundit pritet ta thotë gjykatësja paraprake, e cila do të shqyrtojë kërkesën e prokurorisë”, tha Lala.