“Nuk ka asgjë më thelbësore për jetën sesa ajri. E megjithatë, për shkak të ndotjes së ajrit, akti i thjeshtë i frymëmarrjes kontribuon në 7 milion vdekje në vit”.
Kështu shprehet kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke konfirmuar që ndotja e ajrit është një fenomen më i rrezikshëm nga sa mendohej. Më të rrezikuarit janë ata që jetojnë në vende të varfra dhe mesatare, për shkak të mbështetjes në karburantet fosile për zhvillimin ekonomik.
“Thuajse çdokush në botë është i ekspozuar ndaj niveleve të dëmshme të ajrit të ndotur. Thithja e ajrit të ndotur shton riskun e sëmundjeve respiratore si pneumonia, astma dhe shton rrezikun për një Covid të rëndë. Gjithashtu shkakton sëmundje të tjera jo ngjitëse si sëmundjet ishemike të zemrës, goditjet në tru dhe kancer”.
OBSH e barazon ndotjen e ajrit me konsumin e duhanit dhe ushqyerjen e pashëndetshme. Organizata u bën thirrje 194 vendeve anëtare që të ndërpresin emetimet e dëmshme dhe të veprojnë kundër ndryshimeve klimatike, përpara samitit që mbahet në nëntor.
/b.h