Vajtja në derën e shtëpisë së ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla për ta vënë në pranga pas dënimit të tij me 2 vite burg me një vendim të formës së prerë, ishte një shkrepje boshe e Policisë së Shtetit.
Ndonëse ishin të vetëdijshëm për shkak të sistemit TIMS, se ish-kryeprokurori ishte larguar jashtë vendit, oficerët trokitën në derën e vilës së tij për të konsumuar procedurën standarde të kontrollit në banesë.
Por çfarë ndodh më pas me kërkimet për të arrestuar dhe dërguar në qeli Adriatik Llallën? Burime zyrtare të Policisë së Shtetit konfirmuan për A2 CNN se mbrëmjen së mërkurës, Llalla u shpall në kërkim kombëtar. Kjo do të thotë, që të gjithave komisariateve të policisë në vend iu është përcjellë në rrugë elektronike urdhri i SPAK për arrestimin e ish-kryeprokurorit, për llogari të vendimit të dhënë kundër tij nga Apeli i Posaçëm.
Sipas ligjit, pasi të konsumohen të gjithë kërkimet në vend dhe personi në kërkim nuk gjendet, Policia e Shtetit i kthen aktet prokurorit të SPAK, duke i pohuar pamundësinë e ekzekutimit të urdhrit. Në vijim, referuar procedurës, prokuroi mbush një formular tip të shpalljes në kërkim ndërkombëtar, që përmban gjeneralitetet e Llallës dhe çdo të dhënë të vlefshme për identifikimin e tij, të dhënat për vendimin gjyqësor, si edhe deklarimin se ky person kërkohet për qëllime ekstradimi. Ky formular i përcillet nga SPAK zyrës së Interpol për komunikimin ndërkombëtar të urdhrit.
Adriatik Llalla u largua nga Shqipëria disa ditë para se dënimi me 2 vite burg ndaj tij të merrte formë të prerë. Ndonëse ishte i dënuar me burg, ai u largua lehtësisht nga vendi, pasi ndaj tij nuk kishte asnjë masë sigurie shtrënguese.
/b.h