Nga Mustafa Nano
Aleksandër Vuçiq (Ne shqiptarët e Republikës së Shqipërisë e kemi bërë të udhës që emrat sllavë t’i përdorim me “-iç” në fund. Megjithatë, miqtë tanë nga Kosova, me të drejtë, na sugjerojnë që të përdorim mbaresën “-iq”.) Pra, Aleksandër Vuçiq nuk zhgënjeu as këtë radhë. Dhe në përgjithësi, ai nuk zhgënjen kurrë kur vjen puna të marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Të gjithë prisnim që këtë herë të tregohej më mirëkuptues e konstruktiv me palën kosovare, e cila nuk duket se po kërkon qiqra në hell. Përkundrazi, po kërkon të respektohet një marrëveshje e nënshkruar nga të dyja palët, në prani të autoriteteve të Bashkimit Europian.
Në këtë këndvështrim, ka qenë i pakuptueshëm vendimi që mori presidenti Vuçiq për të mbledhur Këshillin e Sigurimit Kombëtar, duke marrë shkas nga ajo që po ndodh në kufirin serbo-kosovar. Ishte një reagim i shpërpjesëtimuar, sepse të gjithë e dinë se çfarë po ndodh në kufirin serbo-kosovar. Po ndodh një përplasje midis një grupi policësh kosovarë, dhe një grup protestuesish që janë shtetas të Kosovës, dhe asgjë më tepër se kaq, nuk ka të lënduar, nuk ka viktima. Është një gjë që ndodh në të gjitha vendet e botës. Dhe në këtë aspekt, çdo lloj tensionimi i situatës është i pakuptueshëm.
Në këto rrethana, unë do të prisja që kryeministri shqiptar të shfrytëzonte marrëdhëniet e mira që ka me Aleksandër Viçiq, por edhe faktin se të dy ata janë kornizuar brenda nismës së “Ballkanit të Hapur”, dhe t’i bënte një telefonatë e të bisedonte me të. Sipas meje, edhe ta këshillonte që të hiqte dorë nga politika e tensionimit të situatës atje. Nëse Rama nuk është në gjendje të bëjë kaq gjë, atëherë lind pyetja: Përse do të na duhej kjo nismë kaq e madhe me emrin “Ballkani i Hapur”? Në këto rrethana, fare mirë mund të mendohej se “Ballkani i Hapur apo në përgjithësi, përpjekja e Ramës për të shtensionuar situatën në Ballkan, apo për të shkrirë akujt në Ballkan, është në rastin më të mirë e parakohshme.
Unë kam qenë i impresionuar nga kjo nismë, dhe prej vitesh insistoj që vendet e Ballkanit duhet t’i rikthehen marrëdhënieve normale midis tyre, duhet të shikojnë nga e ardhmja dhe ta lënë pas shpine historinë. Por mesa duket, unë, apo të tjerë që mendojnë si unë, përfshirë edhe kryeministrin Rama, jemi disi naivë, nuk lexojmë mirë atë që ndodh në terren. Sepse në terren mungon gatishmëria për nisma të tilla. Dhe nuk u mungon vetëm shqiptarëve në Kosovë, u mungon edhe serbëve. Madje, më së pari u mungon serbëve, duke përfshirë edhe Aleksandër Viçiq. Vini re gjuhën që ky i fundit përdor në të gjitha rastet, por veçanërisht në këtë tension që ka lindur në kufirin serbo-kosovar. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ai ka mbajtur një fjalë, dhe midis të tjerash, ka thënë se: “Vëllezërit tanë serb në Kosovë janë duke përjetuar një nga ditët më të vështira të ekzistencës së tyre.” Çfarë ekzagjerimi! Çfarë hiperbole! Por këto fraza janë në stilin serb, në fakt. Me këtë dua të them se serbët përgjithësisht, e kanë bërë të udhës të shndërrojnë zhvillimet banale në drama të vërteta dhe t’i emfatizojnë këto drama, duke u përpjekur që në qendër të tyre të shohin vetëm viktima. Dhe viktimat dihet se cilët janë: Janë serbët.
Tani, të kthehemi te kryeministri Rama. Mua më shkon mendja se Rama me këtë lëvizje, me këtë zell e entuziazëm me të cilin ka përqafuar nismën e madhe të “Ballkanit të Hapur”, kërkon të hyjë në histori. Ai kërkon të hyjë në histori si politikani që po sfidon veset, prapësitë dhe të metat e Ballkanit në vitin 2021, si politikani që po sfidon limitet e kohës në të cilën po jetojmë; si politikani që po përpiqet të mbjellë paqe në këtë cep të botës, ku paqja ka qenë prore e pamundur. Por unë mendoj se nëse Rama lexon mirë situatën aktuale (atë që po ndodh në kufirin serbo-kosovar, por jo vetëm,), do të bënte mirë t’i linte mënjanë përpjekjet për lavdi personale e për grandomani, të hiqte dorë nga tentativat për të bërë gjëra të mëdha të pamundura, dhe të synonte të bënte gjëra të vogla të mundura. Dhe një nga gjërat e vogla, të mundura, po e sugjeroj unë: Duhet të rregullojë marrëdhëniet me kryeministrin e Kosovës që e ka emrin Albin Kurti. E dinë të gjithë, përfshirë edhe partnerët kombëtarë, që ekziston një problem midis Ramës dhe Kurtit. Ata duhet të ulen me njëri-tjetrin me disponimin për ta rregulluar këtë marrëdhënie, e për t’i sheshuar të gjitha problemet që ekzistojnë midis tyre, qofshin ato të natyrës personale apo të natyrës impersonale. Rama duhet të heqë dorë nga qasja arrogante, paternaliste, në marrëdhëniet e tij me Kurtin e Kosovën në përgjithësi. Ndërsa Kurti duhet të heqë dorë nga provokimet dhe nga vetëgënjimi që mund të ketë, se ai mund të përcaktojë se kush do të jetë kryeministër në Shqipëri. Jo.
Këtë gjë nuk e ka ai në dorë. Ai duhet të heqë dorë edhe nga tentativa për ta zgjatur Lëvizjen Vetëvendosje edhe në Shqipëri. E ka bërë tashmë realitet këtë gjë. Megjithatë, ai duhet ta zhbëjë “Vetëvendosjen” e Shqipërisë. Ai duhet të mbyllë qepenat e “Vetëvendosjes” në Shqipëri, pasi nuk ka asnjë kuptim që ajo të ekzistojë në Shqipëri. Ose më e pakta, të deklarojë prerë distancimin nga “Vetëvendosja” e Shqipërisë. E nëse ajo mbetet, le t’i mbetet njerëzve që janë këtu, që nuk janë të lidhur me Albin Kurtin. Sepse ndryshe i bie që Kurti të mos jetë një interlokutor i Ramës, por një rival, një konkurrent i tij. Përsëris: Këta dy njerëz duhet të gjejnë mënyrën për t’u ulur. Kjo është një nevojë urgjente e interesit shqiptar në këtë moment. Gjërat e tjera të mëdha, nëse bëhen, janë të mirëpritura, si për shembull: “Ballkani i Hapur”, por gjasat janë që kjo nisëm është e parakohshme. Gjërat e mëdha kanë kohën e tyre. Dhe kjo kohë në të cilën po jetojmë, nuk është për gjëra të mëdha. / Mbajtur në “Arnatutostan”