Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish për situatën politike për reciprocitetin e targave ndaj Serbisë.
Kreu i qeverisë shprehet se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ishte në dijeni se marrëveshja do skadonte në datë 15 shtator.
“Nuk e kuptoj atë inat përplot vrer të presidentit të Serbisë, ai e ka ditur shumë mirë që më datën 15 shtator skadon afati i marrëveshjes të cilën e ka pranuar vetë Serbia dhe do të dëshiroja të mos kemi tabela provuese as ne as Serbia, por për shkak se ata po insistojnë te ato tabela, do të na duhet t’i kemi edhe ne”, tha Kurti për media.
Kurti i bën thirrje serbëve që të mos i bllokojnë rrugët, teksa ka shtuar se vendimi për reciprocitet për targa është i drejtë.
“Njësia Speciale ndodhet atje për t’i mbrojtur policët kufitarë dhe pikat kufitare, unë vazhdimisht u bëj thirrje qytetarëve serbë që nuk kanë nevojë t’i bllokojnë rrugët, meqenëse po e pengojnë lirinë e lëvizjes dhe lirinë e vetvetes”, u shpreh Kurti.
g.kosovari