Nga Eduard Zaloshnja
Në fillim të korrikut, kur siptali infektiv pothuaj nuk kishte më të shtruar me Covid-19, përfshiva në pyetësorin e një sondazhi privat, një pyetje në lidhje me vaksinën anti-Covid. Nga ai sondazh rezultoi se 38% e banorëve të rritur të Shqipërisë nuk donin të vaksinoheshin kundër Covid-19.
Me ardhjen në Shqipëri të variantit Delta të Covid-19, spitalet filluan të mbushen me të sëmurë nga ky variant. Aktualisht janë 230 pacientë me Delta Covid-19 në dy spitalet Covid (perveç atyre që janë shtruar në spitale private apo në ndonjë spital rajonal). Ndërkohë, pritet hapja e spitalit të tretë. Pikërisht këto ditë, zhvillova një vrojtim statistikor cep më cep të Shqipërisë (pjesë e një studimi të gjerë ballkanik), ku një kapitull ishte për Covid-19.
Siç raportova në një shkrim të mëparshëm, nga vrojtimi statistikor rezultoi se vetëm 26% e banorëve të rritur të Shqipërisë nuk duan aktualisht të vaksinohen kundër Covid-19. Sidoqoftë, vetëm gjysma e atyre që s’duan të vaksinohen nuk pranojnë asnjë lloj vaksine, ndërsa çereku i atyre që s’duan të vaksinohen mendojnë se nuk u nevojitet, ngaqë e kanë kaluar Covid-19.
Fakti që vetëm gjysma e 26% të atyre që nuk duan të vaksinohen janë të betuar kundër vaksinave, tregon se janë pakësuar ndjeshëm ata që u besojnë teorive konspirative apo që kanë fobi nga vaksinat, ndërkohë që janë shtuar ata që i frikësohen shtrimit në spital nga Covid-19…
Aktualisht, sipas shifrave zyrtare, 44% e popullsisë 18 vjeç e sipër (ose 33% e gjithë popullsisë) i kanë bërë të dyja dozat e vaksinave anti-Covid. Me bërjen e dozës së dytë nga ata që kanë bërë vetëm dozën e parë, kjo përqindje mund të shkojë nga 44% në 60% brenda tetorit.