Partitë politike nuk janë kursyer për fushatën e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura në 25 Prill. Nga raportet financiare të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vërehet se partia që ka shpenzuar më shumë është ajo socialiste, plot 172 milionë Lekë të reja. 4 herë më pak ka shpenzuar Partia Demokratike e cila nuk arriti dot të marrë pushtetin, 47 milion Lekë të reja.
Socialistët kanë gjeneruar mjaftueshëm të ardhura, aq sa kanë kursyer 4 milion Lekë, ndërsa PD nuk rezulton të ketë Lekë të mbetura nga shpenzimet e fushatës.
Kandidatët e shumicës qeverisëse kanë arritur t’i sjellin partisë më shumë para se të kampit kundërshtar. Përmes emrave në listë PS ka grumbulluar 38 milion Lekë ndërsa Partia Demokratike 2 milionë lekë.
Gjithsesi, kandidatët e PS kanë qenë më pak të përmbajtshëm kur vjen puna për të shpenzuar në krahasim me Partinë Demokratike, pasi kanë harxhuar 38 milion Lekë të reja nga buxheti i partisë, ndërsa kundërshtarët e tyre demokratë vetëm 2 milionë Lekë.
Një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të të dy partive kryesore e kanë marrë dhe fushatat në rrjetet sociale. Partia në pushtet ka deklaruar rreth 10 milionë Lekë për mediat sociale dhe 7 milionë Lekë partia e demokratëve. Gjithsej, vetëm për Facebook të dyja partitë kanë harxhuar mbi 140 mijë Euro.
/m.j