Pas mbledhjes urgjente të Këshillit të Sigurisë, Presidenti Vuçiç vuri në dukje se zgjidhja e vetme e situatës është tërheqja e të gjitha trupave speciale ushtarake nga veriu i Kosovës.
“Serbia dëshiron të tregojë vullnet të mirë dhe t’i lërë ca kohë Prishtinës për të ndryshuar vendimet e tyre kriminale. Kam refuzuar një propozim të ambasadorëve të BE-së sepse ajo zgjidhje do t’u jepte 70% të asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin në vijën administrative. Unë e refuzova atë sepse jam lodhur nga politika e aktit të kryer me Serbinë”.
Vuçiç bëri thirrje për rikthim në dialog.
“Kthehemi në situatën e mëparshme dhe pastaj shkojmë në Bruksel dhe bisedojmë për gjithçka.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare po kërkon një përgjigje urgjente nga BE–ja, por nga ana tjetër kemi marrë parasysh kapacitetet mbrojtëse të Republikës së Serbisë, situatën në ushtrinë serbe dhe ne Ministrinë e Brendshme”.
Beogradi ka kërcënuar se do të heqë dorë nga zbatimi i të gjitha marrëveshjet e mëparshme në Bruksel, sepse sipas Presidentit serb pala e Prishtinës praktikisht nuk ka përmbushur asnjë dispozitë apo detyrim.
Ndërkaq mëngjesi i kësaj të marte e ka gjetur të bllokuar pikën kufitare të Jarinjës që lidh Kosovën me Serbinë me forcat policore Ross nga njëra anë dhe serbët në protestë pas vendimit të qeverisë kosovare për të vendosur reciprocitetin e targave.
Vendimi i hyrë në fuqi e ka kthyer doganën e Jarinjës zonë të “blinduar” me forca të shumta policie ndërsa dhjetëra qytetarë serbë mbajnë të bllokuan rrugën në afërsi të pikës kufitare të Jarinjës në shenjë proteste kundër këtij vendimi.
Pas deklaratave të Vuçiçit, Presidentja Osmani dhe ministrja e Jashtme Gërvalla kanë thënë se vendimi për reciprocitet në çështjen e targave të automjeteve me Serbinë është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit. Ndërkaq shqiptarët që jetojnë në Serbinë jugore në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc e kanë respektuar vendimin e qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit të targave.
Ish-Kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviç, ka deklaruar se gjithçka që po ndodh aktualisht është pasojë e marrëveshjes që Aleksandër Vuçiç ka nënshkruar me Kosovën para pesë vjetësh.
/a.r