Nexhmije Hoxha shfaqet herë pas herë në shtypin shqiptar.
Këtë herë e veja e Enver Hoxhës boton një shkrim për Haki Stërmillin në gazetën Dita.
Shkrimi i Hoxhës:
“Haki Stёrmilli, ky bir i shquar i Dibrёs, ishte atdhetar i madh, demokrat, qё luftoi pёr njё Shqipёri tё lirё, tё bashkuar e demokratike. Ai ishte shkrimtar, njeri pёrparimtar, qё u pёrpoq edhe pёr emancipimin e shoqёrisё shqiptare e, veçanёrisht, tё vajzave dhe gruas shqiptare.
Babai im mё pati treguar, kur unё isha nё moshё pёr tё kuptuar, se Hakiu ishte njeri i mёsuar, mё shumё se ç’u kishin dhёnё shkollat turke nё Dibёr dhe Manastir.
Ai ishte i lidhur me politikanё patriotё tё kohёs, antifeudalё dhe antizogistё, ishte pjesёtar aktiv i organizatёs “Bashkimi”, e krijuar dhe e drejtuar nga Avni Rustemi.
Pas dёshtimit tё Revolucionit tё Qershorit (1924), e detyruan Hakiun tё emigrojё nё Itali, Francё, Austri e Rusi, duke bashkёpunuar me KONARE-nё (Komitetin Nacional Revolucionar, qё, mё pas, u quajt Komiteti i Çlirimit Nacional”, me patriotё dhe revolucionarё, si Fan Noli, Halim Xhelo etj.
Nёna, nga ana e saj, mё pati treguar se familjet tona bashkё kishin qenё nё Dibёr, bashkё ishin larguar pёr nё Elbasan, kur Dibra u sulmua, u dogj e u rrafshua nga serbёt, gjatё Luftёs Ballkanike mё 1912, pothuaj nё njё kohё qemё kthyer e vendosur nё Manastir. Hakiu kishte ardhur nё Shqipёri disa vite para nesh. Ai kishte lёvizur, pёr veprimtari patriotike, nё shumё qytete.
Pas njё emigracioni tё gjatё nё shumё vende tё Evropёs, u kthye nё Shqipёri. Gjatё kёsaj kohe, kur ishte nё Shqipёri, mbreti Zog e burgosi Hakiun. E shoqja, me dy djemtё, u largua nga Manastiri, erdhi nё Tiranё, pёr tё qenё mё afёr tё shoqit dhe pёr ta ndihmuar. Pёr njё kohё, ajo ndenji nё shtёpinё tonё. Atёherё, mёsova njё anё tё panjohur tё jetёs sё Haki Stёrmillit. Nёn presionin e mentalitetit dhe zakoneve tё rёnda tё anёve tona, tё Dibrёs, sipas tё cilave gruaja qё humbet burrin, nuk duhej tё largohej nga shtёpia dhe vёllai i burrit duhej tё martohej me tё, pavarёsisht nga diferenca e moshёs.
Unё kam shkruar, nё njё nga librat e mi tё kujtimeve, se pikёrisht nё rrethin e Dibrёs, kur ndodhesha nё ato anё me njёsitё partizane, m’u ngjit pas njё djalё, qё nuk ishte mё shumё se 14-15 vjeç, dhe kur unё doja ta bindja se ishte ende i vogёl pёr tё marrё pjesё nё brigada partizane, shoqёruesi im mё tregoi historinё e tij: ai kёrkonte tё ikte nga shtёpia, se “donin ta martonin me tё kunatёn, qё kishte mbetur e ve nga vёllai i tij, e cila ishte shumё mё e madhe dhe me fёmijё”.
Edhe e shoqja e Haki Stёrmillit ishte mё e madhe nё moshё, ajo kishte qenё gruaja e tё vёllait tё tij. Ishte njё grua e shkurtёr, topolake, as e bukur, as e shёmtuar. Por ishte e mençur, e urtё, shumё e duruar, gjё qё duhej nё kushtet e vёshtira, qё kishte kaluar e kalonte, duke u kujdesur pёr tё dy djemtё, tё madhin, qё e kishte nga burri i parё, vёllai i Hakiut, dhe tё voglin, Refikun, qё kishte nga Hakiu.
Qёndrimi i Hakiut ndaj gruas sё vet, dёshmon pёr ndershmёrinё e humanizmin e lartё tё kёtij intelektuali shqptar, qё e ndiente se nuk do tё ishte e drejtё qё zakonet e rёnda prapanike, tё vendit tё tij, tё binin mbi gruan fatkeqe dhe t’ia bёnin jetёn ferr. Ai, nga ana e tij, e trajtonte dhe e respektonte si bashkёshorte. Sipas mendimit tim, nuk ёshtё e rastit qё Haki Stёrmilli u mor me emancipimin e shoqёrisё shqiptare e veçanёrisht tё vajzave dhe grave. Kjo duket edhe nё veprat e tij, si shkrimtar, duke thurur nё to pikёpamjet e tij politike e shoqёrore, tё cilat shpalosen mё gjerё nё romanin e tij “Sikur tё isha djalё”.
Siç dihet, ky roman bёri aq pёrshtypje te vajzat e gratё shqiptare, aq tё shtypura nё ato kohё, por ngjalli interesimin edhe nё qarqet intelektuale, te progresistё, shkrimtarё, publicistё, bashkёveprimtarё politikё, shokё dhe miq.
Edhe unё, ndonёse 15 vjeçe (1936, kur u botua ky roman) i shkruajta njё letёr, ku pёrshёndes guximin e tij qё preku njё plagё tё shoqёrisё shqiptare dhe pas falёnderimeve, nё emёr tё vajzave tё shkolluara e shtёpiake, qё ishin nё shumicё dёrrmuese, shprehja bindjen qё “do tё vijё dita qё, ne vajzat, pa qenё nevoja tё bёrtasim “Sikur tё isha djalё”, tё bashkueme nёn flamurin e “Lirisё” do t’a gjejmё “vetё” rrugёn e shpёtimit…”.
Nё fillim nuk qenё veprat e tij letrare, tё cilat ende nuk i kisha lexuar, por tregimet e prindёrve tё mi, qё nxitёn tek unё dёshirёn e kuriozitetin pёr ta njohur Haki Stёrmillin mё nga afёr.
Pasi kishte dalё nga burgu, ai kishte mundur tё gjente punё si nёpunёs nё njё firmё tё huaj, qё shiste nё Shqipёri llampat elektrike tё firmёs OSRAM. Hakiu ishte i vetёm, shitёs dhe njёkohёsisht administrator, nё njё dyqan, qё ndodhej nё rrugёn “Mbretёrore” (qё pas Çlirimit u quajt Rruga e Barrikadave). Mua dhe gjithё shoqeve tё mia, kur shkonim nё Institutin Femёror Pedagogjik, ku studioja, dhe kur dilnim nga shkolla, na pёlqente tё kalonim nё arteriet kryesore tё qendrёs sё Tiranёs, ku kishte dyqane, qё na dukeshin tё bukura. Nё ato rrugё kishte shumё njerёz, shumica burra dhe djem, shumё pak gra ose aspak, pothuaj vetёm nxёnёset dhe personeli i Institutit, dhe pak intelektualё, qё njiheshin me gisht.
Unё kaloja rrugёs “Mbretёrore”, ku ndodhej dyqani ku punonte H. Stёrmilli. Kur dera e dyqanit qёllonte e hapur, ndalesha, fusja kokёn, si me druajtje. Hakiu sa mё shihte, ngrihej nga tryeza e tij dhe mё ftonte tё ulesha nё karrigen pёrballё.
Hakiu rrinte gjithnjё i veshur dhe i mbajtur me sqimё, me kёmishё tё bardhё e kravatё dhe me kostum civil. Ai ruante pamjen e njё intelektuali.
Nё bisedat me tё, dukej qё e interesonin problemet sociale, prandaj mё pyeste: ç’mendojnё vajzat e Institutit, nga janё ato, ç’mendojnё pёr tё ardhmen e tyre? Po, ashtu mё pyeste se ç’mund t’i thosha pёr vajzat shtёpiake… Pastaj kalonte bisedёn duke dashur tё mёsonte pёr njohuritё e mia letrare, ç’lexoja, çfarё mё pёlqente etj…
Nё ato vite, 1936-‘37, botohej revista “Bota e Re”. Unё e lexoja rregullisht dhe me dёshirё. Mё shumё ndalesha nё komentet pёr shkrimet e guximshme qё botoheshin nё tё, dhe pёr problemet sociale, lexoja sidomos poezitё e fuqishme dhe tregimet tepёr mbresёlёnёse pёr gjendjen e mjerueshme tё njerёzve tё thjeshtё tё popullit, veçanёrisht tё grave dhe tё fёmijёve.
Nё vitet nё vazhdim, shpёrtheu lufta antifashiste nё Spanjё kundёr fashizmit tё Frankos. Nazifashizmi hitlerian e musolinian po jepte shenjat e synimeve agresive nё Europё dhe nё kontinente tё tjera. Kundёr kёtij rreziku, u ngritёn e shkuan nё Spanjё vullnetarё nga shumё vende tё botёs, mes tё cilёve edhe intelektualё antifashistё tё shquar. Nё ndihmё tё kёsaj lufte dhe kёtyre vullnetarёve, edhe nё Shqipёri u hap njё fushatё pёr sigurimin e ndihmave pёr vullnetarёt. Pёr kёtё, H. Stёrmilli m’u drejtua mua, pёr tё kontribuar nё kёtё drejtim, duke punuar me vajzat e Institutit dhe me tё njohur tё mi. Por ne, nga ana jonё, me porosinё e Qemal Stafёs, e kishim filluar punёn pёr mbledhjen e ndihmave pёr vullnetarёt antifashistё tё luftёs sё Spanjёs.
Haki Stёrmilli e tregoi atdhetarizmin e tij edhe gjatё Luftёs sonё Nacionalçlirimtare kundёr pushtimit nazifashist 1939-1944. Ai, i veshur si njё fshatar i thjeshtё, me brekushe e qeleshe, u bashkua me Haxhi Lleshin dhe Baba Faja Martaneshin, kalonte nga çeta nё çetё, vёzhgonte, shkruante skica, mbante ditar, nё bazё tё tё cilave shkruajti librin “Nё shtigjet e lirisё”.
Si personalitet i shquar politik, Haki Stёrmilli mori pjesё nё Konferencёn e Labinotit (nё shtator tё 1943), ku u zgjodh anёtar i Kёshillit tё Pёrgjithshёm tё Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe, si i tillё, ai u caktua nё delegacionin e gjerё tё Frontit Nacionalçlirimtar qё mori pjesё nё Mbledhjen e Mukjes.
Pas Çlirimit tё vendit, ai, pёr njё kohё, u emёrua drejtor i Bibliotekёs Kombёtare, pastaj drejtor i Muzeut tё parё tё Luftёs Nacionalçlirimtare tё Tiranёs. Me qёllim qё tё kontribuonte nga afёr nё ngritjen dhe zhvillimin e kulturёs sё bashkёqytetarёve, tё rinjve e tё rejave, tё krahinёs sё tij, ai i dhuroi bibliotekёn e vet personale Shtёpisё sё Kulturёs tё Peshkopisё.
Pas vdekjes sё Haki Stёrmillit, mё erdhi nё zyrё, pёr takim, djali i tij, Refiku, shumё i alarmuar, dhe mё tha se njerёz tё paskrupullt po “i vidhnin librat e bibliotekёs sё babait tё tij”. Unё, menjёherё, dёrgova inspektorё tё sektorit pёrkatёs, pёr tё parё gjendjen nё vend. Fatkeqёsisht, biblioteka ishte dёmtuar nё mёnyrё tё pariparueshme.
Me keqardhje e them qё nuk munda tё shkruaja a tё bёja diçka pёr kёtё njeri, sa tё shquar, aq edhe modest.
Haki Stёrmilli nuk arriti, sa ishte gjallё, tё shohё botimin e 3 vёllimeve nga veprat e tij, tё zgjedhura me shumё dashamirёsi e profesionalizёm tё lartё, nga studiuesi dhe shkrimtari i letёrsisё dokumentare, prof. Nasho Jorgaqi.
Nё mes tё 20 e ca veprave, ku shquhen romani “ Burgu” (1935), me pёrshtypjet e tij nga jeta nё burgun e regjimit zogollian, dhe romani “ Sikur tё isha djalё” (1936), ka shkruar shumё drama, si “Dibrania e mjerueshme” dhe “Dashuni e besnikёri”, ku dёshmon pёr luftёn heroike tё dibranёve dhe tё kosovarёve kundёr shovinistёve serbё.
Haki Stёrmilli, ishte njё bir i shquar i Dibrёs dhe i gjithё trevave shqiptare. Meriton tё kujtohet e tё nderohet, nё vite, edhe nga brezat e ardhshёm, si atdhetar, antifashist e shkrimtar progresist”.