Flamur Noka është një nga deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike që ka dalë kundër vendimit të Lulzim Bashës, për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.
Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Noka ka treguar arsyet pse e konsideron të padrejtë vendimin e kreut aktual të PD-së.
“Që në momentin e parë, kam qenë kundër vendimit të marrë nga Basha, si një vendim individual, i pabazuar e në shkelje të plotë me kushtetutën e PD.
Vendime të tilla që janë mjaft sensibilizuese për opinionin nuk merren në mënyrë të tillë, natën, fshehurazi, pa konsultë, pa pyetur organet.
Edhe sikur të ishte një vendim në të mirën e partisë, duhet të respektosh kushtetutën e partisë. Në rastin e Berishës, duhej një konsultë edhe më e gjerë sepse kemi të bëjmë me historinë e PD, me pjesën më të suksesshme që ka pasur PD në historinë e saj. Kemi të bëjmë me njeriun që themeloi pluralizmin në Shqipëri, që përmbysi regjimin.”, deklaroi Noka!
/m.j