Në orët e mëngjesit të së premtes, pak para se Kuvendi të votonte programin dhe përbërjen e qeverisë së re në foltore doli një deputet i ri i Partisë Demokratike.
“Këtu u tha se këtu kemi bërë shëndetësinë jashtëtoksore. Po hajde njëherë në spitalin e Lushnjës, të del miu nga këmbët e nuk din ku të vesh. Ju jetoni në ëndrra. Thoni se do bëni shkolla por nuk kemi më nxënës se të gjithë fëmijët kanë ikur”, tha deputeti.
Ishte Sajmir Korreshi, deputet i opozitës për qarkun e Fierit. Ai tregoi për ZonaZero se si i lindi ideja e atij fjalimi të mbushur me batuta.
“Ishte diçka e momentit. Nuk mendova të përgatis një fjalim e ta lexoj si shumë kolegë të tjerë, po prita sa të vinte babai i kombit (Rama) dhe të flisja”, tha Korreshi.
Përtej batutave, deputeti thotë se fjalimi i tij tregoi ca të vërteta të hidhura.
“Ka qenë sikur ishim në xhenaze dhe ne e shoqëruam me të qeshur. Batutat dhe këto i kishim diskutuar.
Zgjodha të bëja ato batuta për t’i dhënë ton dhe çctensionuar dhe për të treguar se kjo qeveri dhe ai program është absurd”, deklaroi Korreshi.
Një batutë e la edhe në ZonaZero.
“Pashë që të gjithë deputetët e PS po i bënin temena (Kryeministrit Rama). Doja t’i thoja njëherë, ore ti edhe kur pj..rdh ca të thonë këta? Shëndet t’u bëftë?”, deklaroi ai.
Korreshi sfidoi ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që të verifikojë gjendjen e spitalit të Lushnjes. “Ishalla nuk kanë vënë çarqe natën”, tha Korreshi.
/m.j