Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Opozitën me referendum përsa i përket realizimit të pikave që ka shpalosur në programin qeverisës për katër vitet ardhshme.
I pranishëm në Kuvend, referuar projekteve që ka planifikuar të realizojë, Rama tha se ato për të cilat nuk do të bjerë dakort me Opozitën, do i ndjekë me popullin, duke lajmëruar kështu një referendum.
Si shembull, kryeministri mori rastin e reformës territoriale, për të cilën të dyja palët hasin kundërshti. Maxhoranca kërkon që të ketë një ndarje me më pak bashki, ndërsa Opozita dëshiron të kundërtën.
Kryesocialisti i ftoi të uleshin për të diskutuar, për të ballafaquar argumentet, duke shtuar se nëse nuk arrijnë një lloj marrëveshjeje bashkë, zgjidhja tjetër do të ishte populli (referendum).
Pjesë nga fjala e Ramës:
Di të them këtë që programi ynë që votohet sot bashkë me kabinetin është një program që synon të jetë 100% i realizuar të paktën në ato pjesë që kanë të bëjnë me projektet e mëdha me eliminimin përfundimtar të pandemisë dhe pasojat e tërmetit.
Ato që janë të parealizueshme me opozitën, do i ndjekim me popullin, që të zbresim në popull për reformën territoriale apo zgjedhore, por nëse duan që të kemi diskutim dhe nëse duan që ta synojnë realizimin e këtyre synimeve duhet të flasim, dhe jo të bëjmë gabimin që i kanë lënë gjërat në fund, ndërkohë që ne i thonim hajde flasim për reformën zgjedhore, pastaj kur ikën shpikën një karrige ekstra se nuk ishin në parlament.
J’ua dhamë këtë karrige ekstra dhe atë nuk e përdorën, pastaj na kërkuan një tjetër strukturë dhe koha ikën, sidoqoftë është zgjedhja e tyre, ne nuk kemi tabu, jemi të gatshëm të diskutojmë për të gjitha, por kemi prioritetet tona, por ne kemi një qëndrim krejt të kundërt, ne kërkojmë më pak bashki.
Sot kemi entitet shumë të vogla me burime njerëzore të kufizuara për të mbajtur barrën, ndërkohë që pasja e një numri më të madh bashkish dhe njësi administrative më të madhe, hajde ulemi dhe të ballafaqojmë argumentet, mbase ne i bindim, mbase na bindin ata.
/m.j