Në emisionin “Rudina” në Tv Klan është folur për një temë e cila në vendin tonë mund të thuhet fare mirë se për qindra vite ka qenë një tabu, por me ndryshimin e kohërave është dhe momenti i përshtatshëm për të folur pikërisht për varrezat murale, pra për shkak të dyndjes së madhe të popullsisë në qendrat urbane lind nevoja që të krijohen dhe varrezat murale.
Por se sa të gatshëm jemi ne si qytetarë apo se si do jetë vazhdimësia e varrezave në vendin tonë?
Sipas teologut Erjol Haxhiu, feja islame nuk është aspak dakort me varrezat murale sepse sipas profetëve, njeriu është krijuar nga dheu dhe duhet të tretet në dhe.
“Në teorinë islame çështja trajtohet pak më ndryshe, siç është dhe në traditën e njerëzimi. Shënohet qartë edhe në librat hyjnorë dhe në shembujt e profetëve që më e përshtatshme është që njeriu të varroset dhe ashtu siç është i krijuar nga toka, të dergjet në të. Këtë e shikojmë hapur edhe tek fjalët e profetit Muhamed, ku thotë se çdo bir i Ademit do të tretet në dhe kjo tregon të natyrshmen e situatës.
Mendojmë se është më e rëndësishme, më e natyrshme dhe më dinjitoze që njerëzit të vazhdojnë të treten në dhe. Kjo është kur është në kushtet normale. Kur ka situata jo normale, prapë zgjidhja kërkohet brenda këtij konteksti që trupi i njeriut të mos shkëputet nga toka. Këtë e shohim si një detyrim dhe borxh që ne ua kemi pasardhësve tanë. Nuk është e pëlqyeshme dhe e këshillueshme që trupi i njeriut sado që të ketë kaluar kohë, të shkëputet nga varri.
Brenda këtij konteksti janë dhënë dhe zgjidhje, kur nuk ka pasur mundësi për t’u gjendur ambiente të tjerë, është dhënë zgjidhje, që personat pasi të kalojnë një afat të gjatë, mund të përdorin të njëjtin varr, mjafton që ndërmjet tyre të kenë shtresë betoni dhe shtresë dheu që i ndan mbetjet nga trupi i ri që do të vendoset”, është shprehur Erjoli.
Teologi Erjol Haxhiu shprehet se i vjen keq që varret e të ndjerëve kanë kaq luks, siç janë mësuar njerëzit në jetën e tyre të përditshme, sipas tij në fenë islame varri duhet të jetë sa më i thjeshtë që të ketë ato shenjat dalluese që të identifikohet se kush është i ndjeri që prehet aty dhe për ta mbrojtur nga egërsirat etj.
/a.r