“Kina shpreson se krijimi dhe zbatimi i një raporti të ri të Kombeve të Bashkuara do të ndihmojë në shtyrjen e vendeve anëtare për të ndërtuar konsensus, për të koordinuar veprimet, për të praktikuar multilateralizmin e vërtetë, për të përmirësuar qeverisjen globale dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë së bashku sipas Kartës së OKB-së”, -citon “China Daily” Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB.
Geng i bëri komentet në lidhje me “Axhendën e Përbashkët”, e cila u publikua dhe u paraqit nga shefi i OKB-së António Guterres në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Raporti shikon përpara për 25 vitet e ardhshme dhe përcakton vizionin e sekretarit të përgjithshëm për të ardhmen e bashkëpunimit global. Ai përfshin rekomandime se si bota mund t’i përgjigjet sfidave aktuale dhe të ardhshme.
Në diskutimin e raportit, Geng parashtroi tre pikëpamje paraprake. Ai theksoi fillimisht rëndësinë e përmbushjes së nevojave të shteteve anëtare. Së dyti, Geng tha se është e rëndësishme të mbështetet udhëheqja e shteteve anëtare. Ndërsa në fund, nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së unitetit midis shteteve anëtare. Përballë sfidave globale, siç janë ndryshimet klimaterike dhe pandemia COVID-19, OKB-ja duhet t’i shtyjë të gjitha vendet të forcojnë solidaritetin dhe bashkëpunimin, tha zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në OKB.