“Rrjedha Veriore 2”, projekti që ndau kontinentin e vjetër, ka përfunduar dhe tashmë miliona europianë do të furnizohen me gazin rus i cili do të kalojë nga deti Baltik dhe përfundon në Gjermani. Ai e privon Ukrainën nga thuajse 2 miliardë dollarë të ardhura në vit nga tranziti i eksporteve.
Qeveria amerikane kritikon se Evropa po bëhet kështu gjithnjë e më e varur nga Rusia për furnizimin e saj me energji ndërsa një marrëveshje gjermano-amerikane përcakton që Rusia do t’i nënshtrohet sanksionev,e nëse tubacioni përdoret si një “armë” gjeopolitike.
Rezistenca e Uashingtonit me sanksionet e vendosura, i ka vonuar ndërtimet, të cilat ishin të parashikuara të përfundonin në vitin 2019. Tubacioni pritet të sjellë 55 miliardë metra kub gaz në vit nga Rusia. Sipas të dhënave të kompanive, kjo mund të furnizojë 26 milionë familje me gaz.
Rusia ka ndërtuar Nord Stream 1, e tani edhe Nord Stream 2, me qëllim që të mos varet nga Ukraina, si një vend deri tani shumë i rëndësishëm tranzit i gazit natyror për në Evropë.
Ndërkohë, Kievi i dobët financiarisht, është shumë i varur nga të ardhurat prej miliarda euro për kalimin e gazit nëpër territorin e vendit dhe shpreson se do të ketë mbështetjen e Gjermanisë, në mënyrë që të mund të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm, si një vend tranzit edhe në të ardhmen. Kontrata aktuale për kalimin e gazit rus nëpër Ukrainë drejt Evropës përfundon në vitin 2024.
/a.r