Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës njoftoi të shtunën, më 11 shtator, se në 24 orët paraprake ka pasur më shumë lirime të pacientëve me koronavirus sesa pranime të reja në spitale dhe klinika.
“Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka pasur 25 pranime të pacientëve, kundrejt 40 lirimeve të tjera që janë bërë nga ana e mjekëve. Në spitalet e përgjithshme ka pasur 51 pranime, kurse 56 lirime të pacientëve”, u tha në njoftimin e këtij shërbimi.
SHSKUK-ja po ashtu njoftoi se 65 pacientë me koronavirus janë në gjendje të rënduar shëndetësore.
Në spitalet dhe klinikat në mbarë Kosovën po trajtohen 1,002 pacientë, 887 prej tyre të konfirmuar me koronavirus. Prej tyre, 838 pacientë po trajtohen me oksigjeno-terapi.
Sa i përket klinikave të QKUK-së, numri më i madh i pacientëve me COVID-19 po trajtohen në Klinikën Infektive, përkatësisht 99 pacientë.
Ndërkaq, nga spitalet rajonale, numri më i madh i pacientëve po trajtohen në spitalin e Pejës, përkatësisht aty janë të shtrirë 192 pacientë.
Që prej muajit gusht, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve me koronavirus dhe të rasteve që kanë përfunduar me fatalitet.
Vetëm në dhjetë ditët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 254 raste të vdekjes.
g.kosovari