Në mesazhin e tij për të përkujtuar sulmet e 11 shtatorit të 20 viteve më parë, presidenti Ilir Meta zgjodhi të kujtojë dëshmorin shqiptar Feti Vogli, që ra në krye të detyrës gjatë misionit luftarak “EAGLE 4” në Kandahar të Afganistanit në shkurt 2012-ës.
Kreu i shtetit theksoi se Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët, kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë.
“Në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan!
Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq.
Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë.
Mirënjohje për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmit!
I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit!”, shkruan Meta.