Dita e parë e sesionit të ri parlamentar nisi me një seancë që u nda në dy pjesë. Në orën 10:00 të mëngjesit deputetët e legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit u ulën në karriget e tyre për nisjen e këtij sesioni.
Për t’u kthyer më pas pasdite. Seanca u hap nga Luljeta Bozo, deputetja më e vjetër e Kuvendit e cila priti deri në momentin e votimit për t’i liruar karrigen kryetares së re Lindita Nikolla.
Berisha qëndroi në krah të Tritan Shehut ndërsa disa radhë përpara tij, në Kuvend u ul kryedemokrati Lulzim Basha me mbështetësit e tij.
Pas betimit Berisha u largua nga Kuvendi, pa marrë pjesë në procesin e votimit. Ndërsa demokratët me radhë iu bindën ndaj urdhrit të Bashës duke grisur fletët dhe duke i hedhur në tokë.
Vëmendjen e rrëmbeu kryeministri Edi Rama i cili në momentin kur u ngrit për të votuar, me një qese në dorë, i mblodhi fletët e grisura duke i futur në qese.
Deputetet zonja tërhoqën vëmendjen me veshjet e tyre mjaft të kuruara, ndërsa në sy ra Grida Duma për faktin se erdhi në Kuvend me nga një fustan të ndryshëm në të dy pjesët e seancës.
Në mëngjes e kuqja e saj dominoi mes deputeteve të tjera, ndërsa pasdite ligjvënësja demokrate u shfaq me një fustan të zi, të ngushtë pas trupit.
Fokusit të LSA, nuk u shpëtuan as aleatët e Bashës. Monika Kryemadhi në rresht me Berishën, duket mjaft e menduar në nisje të këtij sesioni parlamentar, ndërsa ende nuk e ka thënë fjalën e saj për çështjen që zien në kampin aleat PD. Berisha nga dje nuk është më anëtar i grupit parlamentar demokrat.
Ai është fotografuar teksa qëndron në ulësen e tij, duke naviguar në internet, teksa me shumë gjasa po lexon një lajm në mediat online. Mediu hedh sytë nga kampi kundërshtar, ndërsa Flamur Noka i cili qëndron krah Berishës, diçka i thotë kreut të LZHK-së Dashamir Shehi. m.v/abcnews.al