Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, nga studio e Zona Zero në Top News foli për zhvillimet e fundit në selinë blu dhe rikthimin në parlament të PD.
Nishani kritikoi opozitën për mosaftësinë e gjetjes së strategjive dhe kalkulimeve për të fituar zgjedhjet e 25 prillit.
Ai u shpreh skeptik për kthimin në parlament të PD pasi sipas tij është e njëjta forcë politike pa asnjë ndryshim.
“25 prilli ishte një moment që do i jepte vendit një mundësi vendit, jo vetëm ndryshimit të kahut politik, por Shqipëria ka rrëshqitur drejt një kaosi shumë dimensional. Dhe do dëshiroja që Shqipëria të hynte në një ndryshim esencial. Mendova se do ndodhte një ndryshim i madh. Nuk ndodhi për fat të keq. Dhe opozita jo vetëm që nuk demostroi forcë në opinionin publik, por doli me kalkulime e strategji të dobëta.
Sot opozita kthehet në parlament aty ku u largua 2 vite më parë me të njëjtën forcë politike por me imazh të dëmtuar në sytë e shqiptarëve. Unë e kam gjykuar në një këndvështrim më të gjerë për një shoqëri që ka nevojë për një dinamizëm tjetër. Shoqëria jonë ka mbetur në një lloj kënete dhe prandaj ka nevojë për reflektime të thella. Qeverisja do vazhdojë nga pozitat e drejtuesit, ndërsa opozita që ka përgjegjësi akoma më të mëdha në sensin e ndryshimit nuk ka asnjë lloj shenje për reflektim,” tha Nishani.
Basha tha se në shtator do niste lufta…
“Kultura politike dhe përgjegjshmëria në një vend demokratik duhet të jenë të integruara me njëra-tjetrën, dhe duke parë që nuk e kam vënë re këtë, kam reaguar. Çështja e z.Basha është e mbyllur për mua edhe pse ai mbetet në krye të PD. Mjaftojnë 8 vite për të parë se si drejtohet. Dhe duke qenë se në një mori skandalesh të qeverisë Basha nuk arriti të merrte një fitore, për mua i ka munguar aftësia drejtuese e lidershipit. Nëse me integritetin tënd nuk rrit shpresë te bashkëpunëtorët dhe mes tyre te një masivitet të popullsisë, atëherë problemi qëndron tek ty,” u shpreh ish-Presidenti.
Si do ishte PD nën drejtimin e kandidatëve të tjerë?
“Do ishte ndryshe, nuk e di më mirë a më keq, por ajo që është provuar është dështimi i Bashës. Modeli se si do të ishte dikush tjetër, do duhej të gjykohej pas analizave. Harxhin e mbështeta se është model ndryshe falë analizës se ajo është e përkushtuar dhe ka aftësi për të drejtuar në ekip dhe së dyti dinjitetin e integritetin e lartë,” u shpreh Bujar Nishani.
Shpallja non-grata e Berishës. Sa e dëmton PD? Pse Basha nuk mban qëndrim?
“Në pikëpamjen time vendimi i DASH për Berishën ishte një moment i rëndë për shoqërinë shqiptare, qoftë për ithtarët apo dhe kundërshtarët. As vetë këta të fundit nuk e kanë pritur një diçka të tillë. Ishte një traumë psikologjike për PD-në”.
/m.j