Nga Dritan Hila
Një nder temat e ekipit të strategjisë elektorale të PD-së dhe punonjësve të shtypit të saj prezent në panele, ishte se “PD ka ndryshuar dhe Berisha tashmë ishte një njeri në pension që nuk ka fuqi të ndikojë në parti dhe në një qeveri të ardhshme”.
Ne fakt mjafton fryma e Berishës ende mbizotëruese në PD që kjo të jetë një parti regresive dhe, këtë formim kjo forcë e dëshmon me tepëri. Agresiviteti në sulme, krahinarizmi, mungesa e referencave në luftën e saj politike, janë treguesi.
E, megjithë përpjekjet e makinës së propagandës se opozitës për të mbuluar rrudhat e PD-së, nuk ia doli. Votuesi shqiptar votoi si asnjëherë në historinë e pluralizmit, për herë të tretë PS-në. Për të, pavarësisht gabimeve, shkeljeve dhe problemeve, oferta e Ramës ishte më e mirë se mishmashi që kishin përballë, i gjithi nën komandën okulte të Berishës.
Dhe njerëzit nuk u gabuan. E vërtetoi disa ditë më vonë vetë SHBA-ja.
Shpallja e Berishës dhe familjes së tij nga SHBA “non grata”, dhe cilësimi si njerëz të korruptuar dhe minues të demokracisë është një damkë që hodhi poshtë gjithë legjendat që ai i kishte ngritur me aq mund si pishtar demokracie dhe i pa korruptuar. Kjo nxorri në pah edhe rolin e vërtetë qe ai ka në PD pasi gjithë periudha disamujore nga etiketimi i Berishës dhe deri të premten, ne kemi një dëshmi që PD-ja jo vetëm nuk ka ndryshuar, jo vetëm që komandohet ende nga Berisha dhe ushtarë të tij, por se është edhe një parti që po shndërrohet në formacion kamikaze.
Se çfarë do të ndodhë pas të premtes, është një skenar i shkruar dhe i përsëritur. Përfaqësues të opozitës do dalin t’i japin mësime SHBA-së se çfarë është demokracia dhe kush është Berisha; grupi i PD-së do vazhdojë të rrijë gatitu para plakut; punonjësit e propagandës do përpiqen të sqarojnë se kjo është një betejë me detyrim e imponuar nga Sorosi; kurse në sytë e shqiptarëve, të paktën shumicës së tyre, do fillojnë t’i ngjajnë gjithmonë e më shumë pensionistëve të dikurshëm të selisë ku janë ngulur, që nga fundi viteve ‘80-të mendonin se mund të përballonin të vetëm një sulm të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës së bashku. Këta te sotmit të paktën janë më modestë, por gjithsesi duke i siguruar vetes gjithmonë e më shumë një vend nderi në raftet e pluhurosura të historisë shqiptare, te mbushur plot me delirantë dhe të fandaksur ruralë.