Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka hedhur shortin për çështjen në ngarkim për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Çështja ndaj Dedes do të gjykohet nga Erjon Bami.
Kujtojmë që ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rremë dhe të fshehjes.
Disa muaj më parë me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar pasuritë e 3 ish-gjyqtarëve të shkarkuar nga vetingu.
Ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja iu sekuestrua një apartament 60 m2 në Golem, ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo iu sekuestruar një dyqan 172m2 në Tiranë ndërsa ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, 3 pasuri e llojit trual në qytetin e Vlorës.
Hetimi për 3 gjyqtarët e larguar nga sistemi kishte nisur që në maj të 2020-ës për akuzën e refuzimit dhe fshehje së pasurisë. Nga hetimi ka rezultuar se këto subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.
/m.j