Skena surreale në San Paulo në klasiken e futbollit botëror mes Brazilit dhe Argjentinës, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës “Katar 2022”. Pas pesë minutash lojë, autoriteti kombëtar brazilian hyri në fushë për të ndaluar ndeshjen, duke dërguar në dhomat e zhveshjeve dy kombëtaret.
Arsyeja qëndron në mosrespektimin e protokollit anti-Covid të lëshuar nga qeveria braziliane nga kombëtarja Albiceleste, që kishte grumbulluar 4 futbollistë të ardhur nga Premier League angleze pa një karantinë të mirëfilltë.
Portieri Emiliano Martinez, mbrojtësi Romero, mesfushori Lo Selso u aktivizuan nga minuta e parë, ndërsa Buendia e nisi nga stoli. Të katërt lojtarët nuk kishin qëndruar të izoluar për dy javë në Tokën braziliane.
Kjo ka revoltuar institucionet shëndetësore të vendit, me një prej përfaqësuesve të tyre që u futën në fushë për të ndërprerë sfidën, që nuk nisi kurrë. Tashmë mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë me fatet e kësaj sfide, e cila ishte pritur prej kohësh nga tifozët anë e mbarë botës.
/a.r