Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë iu bashkua reagimeve me rastin e kësaj dite të shënuar, duke publikuar një video me thëniet e çmuara të Nënë Terezës, përmes zërit të aktores së mirënjohur, Margarita Xhepa.
Nënë Tereza ka lindur në vitin 1910 në Shkup, si Anjeza Gonxhe Bojaxhiu. Në moshën 18-vjeçare ajo i është bashkuar manastirit irlandez, ku mori emrin Motra Mari Tereza. Muaj më vonë, ajo u nis për në Indi, në Kolkata, qytetin e njohur më pas si Kalkuta, në janar të vitit 1929. Ajo ka dhënë mësim për vajzat në Shkollën e Shën Marisë.
Atje, ajo mori profesionin e saj përfundimtar dhe u bë Nënë Tereza. Sipas rrëfimeve, gati 20 vjet më vonë, gjatë një udhëtimit me tren në Indi, ajo ndjeu një thirrje nga Jezusi për t’u kujdesur për të varfrit. Nënë Tereza themeloi Misionarët e Bamirësisë për t’u shërbyer të gjithë të varfërve, gjë që e bëri deri në fund të jetës së saj.
MESAZHI I RAMËS
MIRËMËNGJES
dhe me këtë videokujtesë në Ditën e Shenjtërimit të gruas që u njehsua me dashurinë e Zotit, Nënë Terezës shqiptare, treguar me zërin margaritar të një zonje shqiptare të skenës, Margarita Xhepës, ju uroj një të diel të paqtë.
/b.h