Blogerja e njohur Armina Mevlani, pas një periudhe qetësie, ka vendosur të thyejë heshtjen duke rrëfyer jo pak detaje për jetën e saj private dhe lidhjen rej gati një dekade me parterin e saj, Shkëlzen Berishën.
Ajo ka vendosur t’u rrëfehet ndjekësve, duke zhvilluar një bisedë virtuale me ta, të cilëve u dha mundësinë t’i bënin pyetje në lidhje me jetën e saj private, kujdesin për bukurinë, realitetit pas virtualiteteit dhe dashurinë.
Një ndjekëse i shkroi: “A je e gjitha natyrale?”. Armina, e cila ka folur gjithmonë hapur për këtë temë, shkroi: “Jam e gjitha natyrale. Rrallëherë përdor qerpikë fals (pothuajse kurrë), ashtu sikurse edhe procedurën microblading. Më pëlqen të kem bukurinë e viteve ’90-të, e gjitha natyrale, edhe me imperfeksionet”.
Mirëpo, një ndjekëse tjetër i shkroi Mevlanit: “Realisht nuk kam asgjë me ty, por për të pasur këtë jetë, nuk e di nëse e meriton, nuk ke fare bukuri!”.
Dhe ajo me qetësi iu përgjigj: “Bukuria është relative! Jeta ime që është sot, nuk ka ardhur prej pamjes, por ka ardhur sepse kam qenë njeri i vërtetë me njerëzit që kam dashur, ka ardhur sepse kam punuar për gjërat që kam dashur, ka ardhur sepse kam një shpirt të lirë, lexoj libra pa fund, dashuroj artin, dëgjoj muzikë të mirë, di t’i bëj njerëzit të qeshin dhe të më duan! Por më e rëndësishmja, nuk ruaj negativitet brenda dhe as nuk gjykoj të tjerët, as nuk i shaj. Për këtë arsye jam kjo që jam, bukuria është e fundit sepse nuk ka rëndësi (venitet)”, iu përgjigj Armina.
Ndërsa dikush tjetër shkruan se Armina ka një jetë shumë boshe dhe se gjithçka e bën vetëm për klikime.
“Nuk kam asnjë interes të bëj asgjë për klikime, përkundrazi jam shumë spontane në gjërat që nxjerr sepse jam dhe kam qenë gjithmonë natyrë e lirë. Me pak fjalë s’më ka interesuar kurrë çfarë mendojnë të tjerët përveç atyre që dua. Jeta ime jo vetëm që nuk është boshe, por e kam të mbushur me dashuri nga familja, shoqëria ime prej vitesh dhe i fejuari im dhe kafshët e mia. Kam një punë që e kam ëndërruar dhe kam punuar në modë që 18 vjeçe. Kjo është diçka që e kam kultivuar dhe vetë sigurisht, por ndihem një femër me fat dhe falënderuese në pafundësi për këtë jetë, sepse jam e lumtur!”, shkruan Mevlani.
Armina nuk iu shmang as pyetjes për nëntë vitet e historisë së bukur të dashurisë me Shkëlzen Berishën, djalin i ish-Kryeministrit Sali Berisha. Në lidhje me jetën private dhe planet e marrdhëniet së tyre, një ndjekës e pyeti Arminën se kur do të “kemi dasëm?”.
Dhe ajo u përgjigj: “Kemi pritur deri tani dhe e kemi marrë me qetësi, sepse në një moment pandemie nuk ka qenë koha e duhur për ta shijuar siç duhet. Në fund të fundit, është festë. Dhe ne kemi plot gati nëntë vite bashkë!”.
Kujtojmë që Armina nuk qëndroi në heshtje as në një moment delikat politik, kur ish-Kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, më 19 maj 2021. Kjo do të thotë që asnjë prej anëtarëve të familjes Berisha nuk mund të hyjë në SHBA.
Mirëpo, partnerja e djalit të ish-Kryeministrit, Armina Mevlani, tregoi se nuk preket nga ky vendim. Vetëm tri ditë pas lajmit, blogerja e njohur shqiptare komentoi vendimin e DASH në rrjetet sociale, kur realizoi një bisedë virtuale me ndjekësit e saj në Instagram. Ishte një ndjekëse e cila e ngacmoi lidhur me çështjen dhe shkruante: “Më vjen keq për lajmet e fundit dhe të themi, sepse jam shumë e sigurt që as ti nuk ndihesh mirë!”.
Ndërkohë, partnerja e Shkëlzen Berishës i ktheu përgjigje duke sqaruar kështu dhe mendimin e saj lidhur me vendimin e DASH për familjen Berisha. Sipas Arminës, për arsye politike, “çdo gjë mund të ndodhë”.
“Tashmë kam mësuar që për arsye politike, çdo gjë mund të ndodhë. Edhe pse vetë nuk jam pjesë e saj. Por ajo që më intereson është vetëm shëndeti im dhe i njerëzve të dashur (për këtë lutem çdo natë pas periudhës së vështirë të koronavirusit). Gjithçka tjetër rregullohet dhe kalon!”.
ARMINA: SEKRETI IM PËR ROMANCË GJITHË JETËN, E TRAJTOJ PARTNERIN SI MIKUN MË TË NGUSHTË
Në pranverën e këtij viti, blogerja e njohur Armina Mevlani, e cila ishte mjaft aktive në rrjetet sociale, kufizoi postimin e fotove dhe videove me partnerin e saj, Shkëlzen Berishën, në “Instagram”.
E gjatë një bashkëbisedimi virtual me fansat, ajo u pyet “se sa kohë kalon me Shkëlzen Berishën, pasi duket sikur janë distancuar?”.
Kësaj pyetjeje Armina nuk ka hezituar t’i përgjigjet, duke treguar se realisht kalon shumë kohë me partnerin, por nuk dëshiron të publikojë momentet private në rrjetet sociale.
“Jo, aspak, kaloj shumicën e kohës me të, thjesht nuk preferoj të ndaj gjërat private shumë”, u përgjigj ajo. Armina Mevlani tregoi edhe se si është të kesh një vjehërr si ish-Kryeministri Sali Berisha, teksa u shpreh se ai është një dëgjues i mirë dhe kur flet me të mëson shumë gjëra të reja.
“Është dikush me të cilin ke qejf të bisedosh pasi përveçse është dëgjues i mirë, kur flet me të mëson shumë gjëra të reja mbi historinë, artin etj”, shkroi blogerja.
Armina Mevlani dhe Shkëlzen Berisha e nisën romancën e tyre në 2012-ën dhe që prej asaj kohe kanë krijuar kujtime pa fund me njëri-tjetrin. Në muajin shkurt, blogerja e njohur vendosi të rrëfente për herë të fundit disa detaje nga jeta e saj private, ku gjatë një bisede virtuale me ndjekësit e saj, tregoi çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo për të.
Njëra prej ndjekëseve i tha se gjoksin nuk e kishte natyral, por Armina iu përgjigj duke shtuar se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje as në gjoks, as diku tjetër. Lidhja e gjatë dhe e bukur me Shkëlzenin bëri që ndjekësit të mendonin se ajo dëshiron të krijojë familje, ndoshta vitin tjetër.
Për këtë çështje, Armina sqaroi: “Unë i dua fëmijët! Unë dëshiroj gjithashtu, por kur të vendosë Zoti! Nuk e di nëse këtë vit apo vitin tjetër!”.
Në lidhje me pasurinë e saj, ajo po ashtu sqaroi: “Nuk jam e pasur materialisht (sepse të jesh i pasur është fjalë e madhe), por jam shumë në brendësi dhe e mbushur me njerëz që më duan. Kjo është të jesh e pasur. Jetoj një jetë të mirë, por jam ende duke u munduar të krijoj gjëra të miat dhe po punoj çdo ditë për t’i arritur. Dua që një ditë të jem e suksesshme mjaftueshëm sa të ndihmoj njerëz në nevojë aq shumë! Ëndrra ime dhe ajo që do më bënte të lumtur në ditët e pleqërisë është të kthej kokën pas dhe të shoh sa jetë kam zbukuruar duke ndihmuar”.
Ndërsa postimet me foto për lidhjen e saj prej gati një dekade, ajo i bëri pak kohë më parë. Armina u bë nostalgjike për të gjitha momentet romantike që ka përjetuar me gjysmën e saj më të mirë.
Kështu, ajo postoi në “Instastory” një seri fotosh të realizuara përgjatë gjithë periudhës që ka kaluar bashkë me partnerin e saj. Duke filluar që nga vendi ku janë njohur, fejesa, udhëtimi i parë së bashku e deri te propozimi për fejesë, Armina nuk la moment pa kujtuar në përvjetorin e njohjes së tyre e duke qenë se është e hapur dhe i respekton ndjekësit, ajo deri më tani jo vetëm ka shuar kureshtjen e tyre, por u është përgjigjur edhe pyetjeve delikate në lidhje me tradhtinë.
Në një mini-intervistë të zhvilluar pak kohë më parë me ndjekësit në “Instagram”, ajo ka treguar nëse do t’ia falte tradhtinë partnerit të saj. Blogerja u shpreh se tradhtia nuk vjen gjithmonë nga mungesa e dashurisë, ndaj s’do merrte menjëherë vendimin për t’u ndarë. Armina u shpreh se do të fliste me partnerin për të kuptuar arsyen e tradhtisë dhe nëse nuk do ta bindte, atëherë s’do ta falte.
“Do ta falje tradhtinë dhe a mendon se ka dashuri pas tradhtisë?”, e pyet një nga ndjekësit.
“Mendoj se jeta dhe njeriu janë shumë komplekse, tradhtia jo gjithmonë është mungesë dashurie dhe vjen për shumë arsye. Varet nga rrethanat, do ulesha dhe do flisja me partnerin për të kuptuar ‘përsenë’ dhe nëse nuk më bind, nuk do ta falja. Ka edhe raste që mendoj që duhet falur”, iu përgjigj ajo.
Blogerja dha edhe këshilla për një marrëdhënie të shëndetshme, duke u sugjeruar ndjekësve që të provojnë gjëra të ndryshme me partnerin.
“Ndonjë këshillë dashurie? Dukesh shumë romantike”, e pyeti një tjetër ndjekës.
“Mundohuni të bëni gjëra të ndryshme që të mos mërziteni. Bëni aventura, udhëtime, dashuri në vende të ndryshme dhe respektoni njëri-tjetrin. Trajtoje partnerin si mikun tënd të ngushtë”, e këshilloi ajo.
Ndërkohë, ajo ka folur hapur edhe për ankthin dhe sulmet e panikut që ka përjetuar.
“Mendoj se të gjithë deri diku përjetojmë ankth dhe sulme paniku. I kam kaluar duke i thënë vetes që është kalimtare dhe duke folur me shoqen e ngushtë. Nuk më ndodhin shpesh gjithsesi”, përfundoi blogerja.