Ish-kreu i PS në Vaun e Dejës, aktualisht delegat i socialistëve, Nikolin Huba, i cili u plagos ditën e sotme në Shkodër, është dërguar për mjekim të specializuar në Tiranë.
54-vjeçari menjëherë sapo ka dalë nga salla e operacionit është marrë në pyetje, por ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt dhe se nuk e di kush janë autorët apo përse e kanë plagosur.
“Sapo kam dalë nga kafja dy persona me motor me skafandë në kokë janë afruar dhe më kanë qëlluar. Nuk më kanë thënë asnjë fjalë. Une nuk e di se kush janë, sepse nuk kam asnjë konflikt me askënd. Vetëm qëlluan dhe ikën, nuk kam asnjë ide përse më qëlluan”, ka thënë Huba.
Megjithatë, policia vendore e Shkodrës pistën kryesore ka atë të drogës. Kohët e fundit ka pasur disa aksione në zonën e Vau të Dejës, ku janë asgjësuar rrënjë kanabisi dhe janë arrestuar disa persona të ndryshëm.
Pista kryesore e policisë është se kultivuesit kanë dyshuar se Huba mund të ketë dhënë informacion për efektivët, duke i dhënë një mesazh përmes kësaj plagosjeje.
Megjithatë, kjo është një pistë fillestare që ka policia, ende e pabazuar në prova, por që është pista kryesore për të cilën dyshohet se ka ardhur kjo plagosje. Policia po heton edhe pista të tjera për ta zbardhur të plotë ngjarjen.
policia ka identifikuar autorin e plagosjes dhe po vijon krehjen e zonës për kapjen e tij.
‘Më datë 04.09.2021, rreth 10:15, në afërsi të shkollës Pyjore, Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri në këmbë, jashtë rrezikut për jetën shtetasi N. H., 54 vjeç, banues Vau Dejës. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë ku vijon krehja e zonës për kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon punë për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes.’- njofton policia.
/m.j