Pas protestave të disa muajve më parë me pankarta të shumta të tifozëve të Manchester United që donin lamtumirën e pronarëve dhe menaxherëve, vera u solli atyre një qetësi me firmat e Sancho, Varane por mbi të gjitha të Cristiano Ronaldos. Portugezi do të mbajë fanellën me numrin 7, numrin aq shumë të dashur nga ai, ndërsa Cavani do të mbajë numrin 21 që e përdor edhe te Uruguaji.
Sipas “Daily Mail”, klubi po përballet me një situatë të pazakontë, pasi fanellat që ata kishin nxjerrë në shitje janë zhdukur në një kohë të shpejtë dhe tani është e pamundur të gjenden të tilla në dyqan, vetëm online. Mangësitë vijnë nga fakti se firma e veshmbathjeve “Adidas”, ka mbyllur qendrat e prodhimit në Vietnam, nga ku vjen rreth 28% e prodhimit të firmës së njohur.
Dyqanet online kanë marrë një mori kërkesash, por në këtë rast, do të duhet kohë për të patur në dorë një fanellë origjinale të klubit të personalizuar me emrin dhe numrin e Ronaldos. Sipas parashikimeve, aktualisht, kushdo që porosit në dyqanet online të klubit, nuk mund të marrë një fanellë të tillë para muajit nëntor.
g.kosovari