Lindita Nikolla do të jetë kryetarja e nëntë e Kuvendit plurarist. Partia Socialiste, me në krye Edi Ramën, i dha besimin që të drejtojë institucionin e dytë më të rëndësishëm në vend, duke u bërë kështu edhe gruaja e dytë në histori që ulet në karrigen e kryeparlamentares.
Drejtuesit e Kuvendit të Shqipërisë kanë lënë gjurmën e tyre në drejtimin e seancës duke u mbajtur mend herë për tolerancën e tyre, e herë për dorën e hekurt.
Kastriot Islami, Pjetër Arbnori, Skënder Gjinushi, Namik Dokle dhe Servet Pëllumbi janë futur në memorien institucionale si drejtuesit në vitet më të vështira të tranzicionit dhe luftës së Kosovës. Ndonëse karaktere të ndryshme, çfarë i bashkon është jeta akademike nga e cila vinin, duke i dhënë prestigj poltronës së dytë në hierarkinë e Shtetit.
Pas vitit 2005, drejtimi i Kuvendit të Shqipërisë u pa me një sy tjetër. Jozefina Topalli ishte gruaja e parë që u zgjodh në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Tetë vitet e drejtimit të saj u karakterizuan nga dora e hekurt, sidomos kundër aksioneve të opozitës së kohës në sallën e parlamentit, shoqëruar me një mbrojtje të flaktë të Qeverisë dhe partisë në pushtet.
Marrëveshja PS-LSI risolli në pushtet socialistët dhe drejtimin e kuvendit e mori Ilir Meta. Drejtimi i seancave plenare u karakterizuan nga një tolerancë për sa i përket minutazhit në foltoren e Kuvendit dhe shpeshherë salla u kthye në arenë përleshjes e humori.
Pas katër viteve Ilir Meta shkoi në krye të Presidencës, ndërsa Kryetar Kuvendi u zgjodh Gramoz Ruçi, i cili do të mbahet mend për zbatimin rigoroz të rregullores dhe minutazheve të diskutimeve, qasje komplet e ndryshme nga paraardhësi i tij.
Çelësat e parlamentit Gramoz Ruçi do t’ia dorëzojë Lindita Nikollës, e cila përgjatë tetë viteve të fundit ka pasur ulje ngritje në politikë. Vitet si ministre u karakterizuan me debate të ashpra sidomos sa i përket ligjit për arsimin e Lartë. Edhe në sallën e Parlamentit nuk ia kanë kursyer konfrontimin, por Nikolla mbahet mend si një njeri që nuk hezitonte të zbriste te kundërshtari për ta sqaruar.
Ndonëse tonet politike post zgjedhore janë të qeta, mbetet për të parë se si do të jetë qasja e saj ndaj opozitës në sallë, sidomos kur tensionet politike të rikthehen në sallën e Kuvendit.(A2)
g.kosovari